Rama është shkitur nga projekti Soros, ja disa indicie

Nga Vëlla Shkumbini
Edhe unë mendoj se ka një plan Soros për Shqipërinë, ose më mirë, unë mendoj se edhe Shqipëria është pjesë e planit Soros për Ballkanin.
Nuk është ndonjë sekret që fondacioni për shoqërinê e hapur mbështet fort Bashkimin Evropian si koncept, duke bashkëpunuar ngushtë me udhëheqjen e Evropës Veriore dhe forcat e saj liberal-progresiste.
Madje duket sikur vizioni i Soros për Ballkanin është po i njëjti i Evropës Veriore, pra një hapësirë e banuar nga popuj sllavë, shqiptarë, latinë dhe pastaj rome e egjiptianë që duhet të integrohet pikësëpari ndërmjet vetes, e pastaj me Bashkimin Evrapian. Kështu që mund të themi shumë mirë që Bruksel zyrtar është baraz me Soros, së shumti.
Plani për përmbushjen e këtij vizioni të Ballkanit ka pasur gjithnjë qendër logjistike Beogradin dhe është mbështetur tek elita e saj, si një zgjatim i natyrshëm danubian në Ballkan. Aktivitetet kësisoj do orientoheshin gjithnjë drejt një integrimi të veprimtarisë politike, ekonomike dhe shoqërore në drejtim të Beogradit pikë-së-pari, pastaj drejt Vienës e më pas Brukselit. Kjo lloj dinamike nga ana tjetër, ka hapur gjithnjë vend për influencën Turke, Ruse dhe Kineze, sepse Beogradi është një portë hyrëse e këtyre shteteve në drejtim të vendeve të Evropës Veriore, qytete si Beogradi, Budapesti dhe Viena mbajnë portofole të rëndësishme të investimeve të këtyre vendeve, që nëpërmjet Evropës Danubiane vazhdojnë dhe çajnë deri në Detin e Veriut, në Hollandë.
Kështu ajo që ka ndodhur këto 30 vjet në Ballkan ka qenë një forcim i investimeve Austriake, Hollandeze dhe Gjermane nga njëra anë dhe atyre Ruse, Turke dhe Kineze nga ana tjetër. Modele dhe anti-modele pjesë e së njëjtës lojë.
Ndërkohë që modeli politik ekonomik dhe shoqëror në Ballkan u kthye në një mish – mash të vërtetë, u rrit fryma orientaliste e veshur me rrobat moderniste të Evropës së Veriut. Dmth autokratë ambientalistë, intelektualë qylaxhi dhe korporata tafmaqare, e gjitha kjo e dirigjuar lokalisht nga një elitë e Beogradit që ende nuk është pastruar nga krimet e luftës.
Pra, në mendimin tim këto janë disa pika të planit të Soros për Ballkanin, që në fakt janë dhe të planit të Brukselit zyrtar.
Po si ka mundësi që në titull kam vendosur se Rama po shkitet nga plani Soros?
Ka disa indicie, indicia e parë, ka disa kohë që Rama nuk po dedikon shumë kohë dhe energji në drejtim të Beogradit, ashtu në qetësi duket sikur po largohet nga Vuçiç, ashtu siç duke se, e këtu vjen indicia e dytë, ai po largohet edhe nga Erdogan, duke kaluar aeroportin e Vlorës në duart e një kompanie rajonale italiane, një kompani pulieze.
Rama gjithnjë ka pasur debulesë për Pulien, sidomos Pulien e mikut Vendola. Kjo miqësi ka ekzistuar në kohën e Nanos dhe në një kohë kur politika e jashtme e Shqipërisë drejtohej ende nga njerëzit, nga populli, e për këtë arsye lidhjet ekonomike e shoqërore ishin kryesisht me Italinë dhe Greqinë.
Më vonë Rama, gati – gati e harroi Pulian e filloi të frekuentonte Toskanën e mikut tjetër Renzi, e këtu mund të thuhet se fillon e hyn më shumë në sintoni me planin Soros. Siç edhe dihet Renzi do jetë ai që propozoi Mogherinin në krye të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Për aq kohë sa kishim Renzin në Itali, plani Soros dukej në kasafortë, i sigurtë, sepse nëse Italia nuk ndjehet, Ballkani përfundon në mënyrë natyrale nën protektoratin e Evropës Veriore.
Indicia e tretë ka të bëjë më shumë me Pulien si rajon dhe mikun e tij Renzi. Në Itali projekti i Renzit është një projekt që shumëkush e quan projekt sorosian. Humbja e tij ishte një goditje për planin Soros. Nga ana tjetër Salvini është një projekt antisorosian. Edhe në këtë rast modeli dhe anti-modeli janë pjesë e së njëjtës lojë. Kryeministri aktual Conte është puliez dhe nuk është as sorosian dhe as antisorosian, ai është një model jashtë kësaj loje, një model alternativ. Ai është një i majtë i afruar nga lëvizja 5 yje dhe është në fakt një balancë e mirë mes të majtëve të moderuar dhe kësaj lëvizjeje të re me tipare sociale. Nuk po them që është i mirë, por për mendimin tim është alternativ, pa qenë as pro dhe as antisorosian.
Kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve para nje viti, në Pulie, presidenti i rajonit Emiliano, ai që shkoi Rama dhe takoi tek Fiera del Levante, ishte i pari dhe ndofta ndër të vetmit që bëri thirrje për koalicion parti demokratike – lëvizje 5 yje. Por Renzi ishte kundër sepse kjo e dobësonte, ndërkohë 5 yjet bënë koalicion me Salvinin. Sot pas një viti, Conte është kryeministër i një qeverie me aleancë ndërmjet partisë demokratike dhe 5 yjeve dhe para disa ditësh ai inauguroi panairin Fiera del Levante, sëbashku me Emilianon, e madje aty sëbashku thanë se mbështesin Barin për mbledhjen e ardhshme të G20, ku mblidhen gjithë udhëheqësit Botërorë. Ndërkohë Renzi i mërzitur nga eklipsimi politik ka vendosur të luajë fishekun e fundit duke themeluar një parti më vete.
Në gjithë këtë mesele Rama duket se ka zgjedhur të dalë nga loja, ose plani Soros. Ai duket sikur tashmë nuk është më as sorosian dhe as antisorosian, ai është alternativ duke përqafuar modele si ai i Emilianos së Pulies, që ndofta nuk ka shkëlqimim e lojrave të burrave të shtetit ku luhen fatet e Botës, por mbetet një model praktik, i aftë të gjenerojë miliarda Euro.
Ndofta ky prakticitet dhe këto mundësi të reja e kanë bindur Ramën të shkitet nga plani Soros, ai që e mbante mbas vagonit Beograd, Vienë, Beograd. Tani duket më i orientuar drejt ekonomisë blu, drejt Mesdheut.