Enver Hoxha, kampion i Drejtësisë!

<!–more–>
Nga Indrit Vokshi

Ku e kam kuptuar se “Reforma në Drejtësi” nuk sjell drejtësi? Kur deklarohej “do arrestohen peshq të mëdhenj”, “duam të shikojmë zyrtarë të lartë në burg”. Jo se po më dhimbsen zyrtarë të lartë e politikanë, se as kam lidhje gjaku me askënd prej tyre, as ndaj para me asnjë prej tyre. Mirëpo kur e sheh se çfarë poshtërsie qëndiset për diçka kaq delikate sa drejtësia, ke një nxitje për tua shpjeguar njerëzve. Kur dikush thotë duam zyrtarë të lartë në burg, po i vendos paracaktimin; a më mirë të përcaktonin edhe numrin, sa zyrtarë të lartë doni në burg, pastaj, mundësisht të caktonin edhe emrat, cilin doni në burg. Dhe bëhej më e lehtë puna. Paracaktonim, rangun, numrim dhe emrat. E përsosur. Problemi është se ligji dhe institucionet e drejtësisë janë impersonale. Nuk mund të drejtohen apo hartohen me qëllim të caktuar ose me shenjestër të caktuar. Ato përcaktojnë principin dhe kush bie ndesh me principin, bie në rrjetë. Ndoshta nuk mund të arrestosh asnjë zyrtar të lartë apo politikan sepse i kanë fshehur mirë. I janë shmangur ligjit me talent. Çfarë do bësh? Do arrestosh kot, pa bazë ligjore, thjesht sepse ke deklaruar ti se duhen arrestuar “peshq të mëdhenj”? Do arrestosh pra, njerëz, pa ligj, sa për të plotësuar normën. Këtu u nis propaganda, hajt se populli ka mllef, në mos pastë aq shumë ia ushqejmë ne mllefin, deklarojmë se drejtësia do të vijë, se drejtësinë e ka në dorë SHBA dhe BE, do arrestohen kaq e aq, do arrestohen këta e ata, pompo teorira dhe magjira, pastaj në fund, gjykatë-pazar. Njerëzit mendojnë oh, u gënjyem e u tallëm edhe ketë herë dhe besimi tek drejtësia zhytet edhe më thellë në kënetën e mosbesimit. Me ketë model që kanë propaganduar këta, shqiptarë e të huaj, vasalë dhe kërmij ambasadash e ojëfësh, Enver Hoxha del kampioni i drejtësisë. Ai ka arrestuar zyrtarë të lartë më shumë se gjithkush tjetër. Ai ka arrestuar ministra të brendshëm dhe tregtie, zv.ministra të sigurimit, deputetë, gjeneralë, kolonelë, shefa shtabi, admiralë etj. Dhe nuk i ka dënuar me punë në komunitet por, me burg, me pushkatim dhe me interrnim. A mund të quhet se enverizmi kishte drejtësi? Edhe po edhe jo. Kishte drejtësi partie por nuk kishte drejtësi drejtësie. Edhe sot, me këto modele që propagandohen, me këto mendime që ushqehen nga media dhe nga kërmijt e studiove të cilët meqenëse skanë legjitimitet prej askund mundohen të fitojnë legjitimitet duke deklaruar “jemi me ambasadat”, ne mund të kemi drejtësi ojëfësh por jo drejtësi drejtësie. Drejtësia nuk është diçka e lehtë, vende të ndryshme, me zor, me luftë e me përpjekje edhe ende nuk ia kanë dalë ta konsolidojnë atë. Ketë duhet ta mësojnë njerëzit dhe të mos dëgjojnë çdo hajvan që premton mrekullira. Drejtësia kultivohet, nuk dhurohet. Drejtësia rritet, nuk instalohet.