Durrës. Ceremoni me rastin e 61-vjetorit të krijimit të Brigadës së Nëndetëseve

Më 20 shtator 2019, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (FA) të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në rrjetin social FB, shkruan se ndjehet “i nderuar që mora pjesë në ceremoninë e 61-vjetorit të krijimit të Brigadës së Nëndetëseve”.
Kollçaku shpreh “mirënjohje për të gjithë ish-efektivët dhe komandantët e kësaj brigade, të cilët me përkushtim, djersë dhe sakrifica, për më shumë se 40 vjet, bënë krenarë Forcat e Armatosura duke kryer një nga detyrat më të vështira të mbrojtjes së vendit”.
Pas ceremonisë së zhvilluar në Komandën e Forcës Detare në Plepa të Durrësit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, së bashku me zëvendëskomandantin e saj, kapitenin e rangut I Artur Meçollari, vizitoi Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD). Gjeneral Kollçaku falenderoi personelin për realizimin e misionit në ushtrimin e sovranitetit në hapësirën detare të vendit.