Kapen hajdutët e biçikletave të shtrenjta sportive në Korçë

Kapen hajdutët e biçikletave të shtrenjta sportive në Korçë. Ata ishin kthyer në tmerrin e qytetarëve të Korçës.

Burime pranë policisë thanë për Vizion Plus se mbrëmjen e të mërkurës janë shoqëruar të paktën tre të dyshuar si hajdutë të biçikletave.

Ata dyshohet se janë autorë të paktën të dhjetë rasteve vjedhjeje, ndërsa çmimi i biçikletave që ata grabisnin varion nga 500 deri në 1200 euro.

Të njëjtat burime bënë të ditur se një pjesë e mirë e biçikletave të grabitura janë shitur në qytetin e Pogradecit me çmime të lira.

Ato janë sekuestruar një natë më parë dhe paraditën e sotme janë depozituar si provë materiale pranë grupit të hetimit në prokurorinë e Korçës.

Gjithnjë sipas të njëjtave burime ky grup e ka shtrirë aktivitetin e vet edhe në qytete të tjera të juglindjes, por vjedhjet më të shumta gjatë dy viteve të fundit janë kryer në Korçë.

Gjatë kësaj periudhë nga ky qytet ka pasur denoncime të shumta sa i takon vjedhjeve të biçikletave dhe në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për biçikleta të shtrenjta sportive.