E RËNDË| 4554 aksidente rrugore nga 1 janari me 113 viktima

Imazhet e rënda të një aksidenti janë përcjellë në rrjetet sociale nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Nisur nga numri i lartë i aksidenteve që ka ndeshur këtë vit, ajo kërkon të tërheqë vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit.

Drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Urgjencave theksojnë se në shumicën e aksidenteve të asistuara për dhënie të ndihmës së parë, drejtuesit e automjeteve janë gjetur me telefon në dorë dhe në shumë raste me pasoja fatale për jetën.”Përdorimi i telefonit kur jemi duke drejtuar makinën, është ndër shkaktarët e parë të aksidenteve vdekjeprurëse!” shkruan Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.

Ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore listohen: mos respektimi i shpejtësisë së lejuar, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, ndryshimi i shpeshtë i korsive, mos respektimi i të drejtës së përparësisë dhe mos respektimi i distancës së sigurisë.

Në rrjetet sociale dhënësit e ndihmës së parë i bëjnë thirrje popullatës që drejton automjete të reflektojnë përballë shifrave të frikshme që shënohen çdo ditë nga aksidentet. Veçmas invalideti dhe mortaliteti po thyejnë edhe rekordet e shënuara në luftëra. Ata tërheqin vëmendjen që drejtuesit të përdorin kufjet kur flasin në telefon dhe të ndalojnë makinën kur shkruajnë mesazhe!

Nga 1 janari deri sot Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore llogarit se kemi 4.554 aksidente me 113 viktima.