Libri i Vogël i Zi i Emersonit*

(shqipërim nga Astrit Lulushi)

Guxo të jetosh jetën që ke ëndërruar. Shko përpara dhe bë realitetet ëndrrat e tua.
Ajo që qëndron pas nesh dhe ajo që qëndron para nesh janë çështje të vogla në krahasim me ato që qëndrojnë brenda nesh.
I vetmi person që je i destinuar të bëhesh, është personi që vendos të jesh. Gjithmonë bë atë që ke frikë të bësh.
Mos shko atje ku shtegu mund të çojë, përkundrazi, shko atje ku nuk ka shteg dhe lë një gjurmë.
Jeto nën diell, çaje detin, thith ajrin e lirë.
Ajo që bën flet aq me zë të lartë sa nuk mund të dëgjohet ajo që thua.
Kur je në errësirë, mund të shohësh yjet.
A është, pra, aq gjë e keqe të keqkuptohesh? Pitagora u keqkuptua, dhe Sokrati, Jezusi, Luteri, Koperniku, Galileo, Njutoni dhe çdo frymë e pastër dhe e mençur që mori formën e njeriut. Të jesh i madh është të jesh i gabuar.
Nuk mund t’i kujtoj librat që kam lexuar më shumë sesa ushqimet që kam ngrënë; dhe kështu, ato më kanë bërë.
Gjithë sa kam parë më mëson të besoj te Krijuesi për gjithçka që nuk kam parë.
Çfarëdo që të bësh, duhet guxim. Cilido qoftë kursi që vendos të marrësh, gjithmonë gjendet dikush që të thotë se e ke gabim. Gjithmonë ekzistojnë vështirësi që të tundojnë të besosh se ata që të kritikojnë kanë të drejtë.
Për të hartuar një kurs veprimi dhe për ta ndjekur atë deri në fund, kërkohet i njëjti guxim që i duhet një ushtari në luftë.
Paqja është fitore, por duhen njerëz të guximshëm për ta siguruar atë.
Shufra më e mirë për mbrojtjen nga rrufeja është shtylla kurrizore, mbaje drejt.
Bëni Biblën tuaj. Zgjidhni dhe mblidhni të gjitha fjalët dhe fjalitë që në të gjitha leximet tuaja kanë qenë për ty si shpërthimi i një borie.

—-
*Ralph Waldo Emerson (1803 – 1882), eseist, pedagog, filozof, dhe poet amerikan që drejtoi lëvizjen transcendentaliste të mesit të shekullit të 19-të (transcendentalizmi ishte një lëvizje filozofike kundër gjendjes së përgjithshme të intelektualizmit në atë kohë në Amerikë). Emerson i shpërndau mendimet e tij përmes dhjetëra eseve.
Libri i Vogël i Zi ishte një mjet për të kontaktuar me njerëz për t’u dhënë atyre atë që dëshironin. Por, në këtë version të shekullit 21 të librit të vogël të zi, mençuria dhe njohuria janë çelësat për hapjen e dyerve për të medituar mbi mençurinë, përqendrim në biseda ose për mbrojtjen e tryezës së kafesë nga kondensimi. U bëftë e juaja mençuria e disa prej më të mëdhenjve.