BASHA NË BETEJË (GRERËZAT THUMBOJNË)



Nga Petrit Brahollari

Varfërimi i shumicës është i tejskajshëm. Nuk po e siguron dot bukën “thatë”. Të pasurit e “rinj” rreshtohen në miliarderë të habitshëm. Hotele, vila dhe pallate kanë pushtuar bregdetin dhe u janë qepur kodrave dhe maleve në pozicionet më piktoreske. Ndërtimet luksoze, që zor se i gjen në ndonjë vend të botës sado të zhvilluar, sigurohen me kamera, roje private me uniformë e kobure dhe qen kufiri të lëshuar pa zinxhirë, që urinojnë pranë trëndafilave.

Populli, i pasigurtë, është bërë i huaj për njëri – tjetrin. Vështrimi është drejtuar te opozita, që premton një program të realizueshëm. Lideri i saj nuk mund të quhet as madhështor dhe as i jashtëzakonshëm, por mesatar dhe i pranueshëm në shoqërinë shqiptare ku ka lindur. Në këmbënguljen e tij, ai shpreson se u përgjigjet nevojave të popullit në këtë situatë tragjike, por jo të pandreqshme.

I vendosur në një pozicion aspak modest, Basha përballet me një zhurmë të fortë propagandistike, që synohet ta zhvendosë nga qëllimi që i ka vendosur vehtes. Egoistë inaktivë, nga e djathta, orvaten me të gjitha mënyrat për ta dëmtuar dhe zhvlerësuar nga shoqëria.

Grerëzat, që thumbojnë, janë zgjatimet e së majtës që kanë hequr dorë nga detyrimi dhe tashmë kanë kapitulluar. Dështimi i tyre nuk ka ardhur nga pamundësitë, por në mënyrë të qëllimshme, u janë dorëzuar dobësive të tyre. Larg kërkesave të opozitës për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe jo afër mbështetjes së Lulëzim Bashës, që formulon mendime të drejta dhe palodhshmërisht i shpreh fuqishëm. Secilit i lind e drejta të formulojë mendimet e tij dhe të kultivojë dallime, por jo të fajësojë dhe zhvlerësojë vlerat e të tjerëve nga një pozicion kundërvënës e përçmues, larg gjuhës së përbashkët për të realizuar më të mirën.

Nofka të shumta dhe etiketime si “gënjeshtar” nuk vërehen në karakterin e tij, përkundrazi si vlerë bazike bën pjesë sinqeriteti. Fyerjet me mllef janë iluzione të injorueshme. Në shoqërinë tonë nuk është e lehtë të jesh i drejtë dhe i virtytshëm sepse je i sulmuar nga vesi. PD-në, e kanë shoqëruar gabime të ndryshme ndër vite, por kurrsesi lideri aktual nuk mund të shërbejë si rrufepritëse. Gjurmët e ndjeshme janë të politikanëve të vyshkur, që i ka lënë memorja dhe ende u duket se kanë vlera politike absolute.

E vështirë, marrja e përgjegjësive dhe e lehtë të lëndojnë të tjerët që kanë marrë përsipër të nxjerrin nga koma vendin. Lavdërohen se vetëm ata janë të vetmit bartës që justifikojnë karriken e drejtorit, tavolinën e ministrit dhe kolltukun e deputetit. Të pazëvendësueshmit e kanë oreksin e madh sepse stomaku i zgjeruar pret ushqimin e radhës. Devijime të habitshme nga përkatësia, mungon arsyeja, s’ka harmoni.Vetëvrasje politike (eutanazi) me dëshirë. Përvoja politike e Bashës është e mjaftueshme. Ai ka marrë një barrë jo të lehtë në krizën e gjithanshme që ka pushtuar vendin. Në ekip ka burra kurajozë, të vendosur, jo cinikë, që nuk shtyhen ndaj privilegjeve dhe as dritëshkurtër, që e shikojnë të ardhmen me kujdesin joshës.

Ka zonja që përfaqësojnë vetvehten, gra që u peshon fjala dhe u ka lezet mençuria, plot hire dhe të zgjuara, të pakompromentuara dhe jo të shtirura. Gra dhe burra plot vitalitet. Të çoroditurit e paskrupullt e kanë devijuar rrjedhën nga shtrati i PD-së dhe notojnë në korrupsionin politik. Tepsia e shtruar majtas, që i gostit mirëseardhjen , u errëson sytë të shohin djathtas. Politikanët që i sulen partisë duke e konsideruar “lopë” dhe e mjelin deri sa i thajnë “gjirin”, dëmtojnë përparimin e demokracisë.

Politikanët, që i shkatuan dëm opozitës janë të njohur dhe z. Basha ka sitën e hollë për ta ndarë miellin nga krundet. Shoqëria, që është pritja e shpresave, i ka parapëlqimet e veta. Po ta pyesësh, ta thotë kë do, çfarë do, si e do. “Futu në çadër!”, – i thanë Bashës. Ca të tjerë nga Partia, intelektualë e çfarë të thuash dhanë një ultimatum diplomatësh, “Dil dhe bëj marrëveshje me z. Rama”. Jo vetëm ta bësh, por dhe si ta bësh. Gazetarë të ndryshëm e nga sfera të tjera të shoqërisë e etiketuan “tradhtar”. Në arsyetim u përfshinë dhe “lepujt”, “ujqërit” dhe “hienat”.

Enigma e thashethemeve e lodhi dhe politikën e palodhshme, por një pjesë e saj gjakftohtë e quajti takimin e duhur, ka dhe rezerva, që takime të rëndësishme janë të qarta në sallon pa dyer. Por jo vetëm kaq sepse presioni mbi Bashën nuk u ndal për të bojkotuar Parlamentin. Ndodhi dhe flakja e mandateve. “Mirë bëre që dole!” dhe “pse dole?”, u sulën gjithandej. “Pse ja dhe ujin e nxehtë gomarit dhe pse nuk ja dhe të ftohtë”? Kundështarët e Bashës u sulën ndaj tij që nuk përdori “ujë të vakët”. Autoritete me funksione të larta diplomatike “s`po ngopen së rrahuri” liderin e opozitës dhe përgëzojnë me kënaqësi stilistin që e veshi me kostumin e monizmit Shqipërinë. Pjesa e shëndoshë e shoqërisë e ndjen në trupin e vetë dhimbjen e plagës.

E vlerëson mjekimin, dhe a po e bënë gjënë e duhur Basha? Ata që nuk kanë keqardhje për PD-në dhe u shkëputën nga realiteti qysh nga koha që ishin aty, sulmojnë, ka që heshtin, rilindin ndonjë parti demokratike të re duke imituar të mëparshëm, të venitur, e ngarkojnë Bashën me gabime për t’i zënë vendin. I thonë, “ngjason me Ramën”, po nuk i thonë se ku, “do falimentosh!” se e rrënove PD-në dhe nuk thonë “ik Rama!” po “ik Basha!”, të vijmë ne.

Loja midis Ramës dhe Bashës përfundon me rezultat të barabartë sipas atyre që e kanë shpallur Bashën armik. Fërkimet e zonjës Topalli me Bashën që e bëri këtë të fundit fajtor për Valdrin Pjetrin janë shkëndija të një “prushi të kthyer në hi”. Zëri i saj nuk frymëzon as kolegët në shlodhjen e gjatë dhe as ata që rilindin PD-në me emërtime të reja.

Lëndina e Kryeministrisë është e bollshme dhe për kërpudhat e PD-së, të mbrojtura me gaz lotsjellës. Të shpërthesh në hove spektakolare dhe të barazosh të mirën me të keqen është më e keqe se e keqja. Këto cicërima nuk i shkojnë as ndonjë Jozefine të re në Parlament dhe jo më një politikaneje të vjetër dhe drejtuese e Parlamentit, sot, jashtë tij. Grackat e ngritura ndaj liderit të PD-së, po bien shumë shpejt. Ato po zënë duart e atyre që i ngrenë, se janë me purteka të kalbura. Më komodë ndihen të divorcuarit e Bashës që u rehatuan në Parlament. Dashuria midis kolegësh majtas e djathtas dhe harmoni e paparë ndonjëherë. Aty puthet e njëjta gjini. Lëshojnë prej aty bulëza urrejtje nga kazani “pa kallaj” dhe nga Basha s’ka përgjigje indinjative, i kursyer të mos u prishë gëzimin e “Vitit të Mjaltit”, por dhe autokritik që nuk përzgjodhi njerëzit e duhur të fletës së patemperuar. Me këndvështrimin e Bashës s’ka tërheqje. Kërkimi i risive dhe lufta me të keqen, është shfaqja kryeneçe.

Platforma e qartë për ta nxjerrë vendin nga varfëria, ç’aktivizim i kurtheve të bukëshkalësve të Berishës, drejtorë, ministra, ish-deputetë dhe ish-presidentë. Të atyre që u hipi vehtja në qejf dhe shqelmuan djepin e lindjes. Ish-ministre që shkëmbenin çorapet me Ramonën dhe të çmendura pas lukut e bënë ballin copë te pasqyrat. Voltana Ademi me motra dhe vëllezër shkodranë nuk ndihet e dobët në përpjekjet e saj për lirinë e votës, në mbrojtje të Kushtetutës, që Shkodrës mos t’i kthehet koha e zezë, për atë që luftuan dhe flijuan jetën djemtë e kryeqytetit të demokracisë. Jo, zonja Topalli, dukesh shumë larg vendlindjes. Pjetrin nuk e çoi Basha në Shkodrën tënde, pyete popullin, që s’po të dhemb, që e ka trupin e plagosur nga Policia. Ku ishe ti, Jozefina? Sa për atë, ku je, mos u lodh, se të shohin jo vetëm ty, por gjithë ata si puna jote. Arroganca jote e “zhele etikës” e uli Ruçin në kolltukun e besuar që të dha PD-ja për ta drejtuar Parlamentin. Nuk është faji i Bashës, që ta rrëmbyen kolltukun dhe e ke shpallur armik Bashën. Vyshkja politike e “bukëshkalurve” të Berishës nuk e rinon dot “Rilindjen e Patozit”.

As freskia e Rudinës s’e shpëton nga vdekja Parlamentin monist. Baruti i Maliqit s’është nga Arsenali i PD-së dhe nuk ndez as leshtë e PS-së. E çfarë nuk pret nga kurva politike!
Lideri i PD-së është shpresë dhe shtrati i besimit mbarëpopullor. Më i plotë është vlerësimi i këshilltarit të CDU-së, zotit HENZE, për programin ekonomik, ai pohoi: “Basha po merr mbështetjen e Berlinit në përpjekjet e tij për të luftuar pasuritë e paligjshme, gjurmimin e llogarive të fshehura dhe ndëshkimin e aferave korruptive”.