Karta studentore e spiunit me pagesë…

Elona Caslli
Meqënëse në profilin tënd zyrtar na kishe ftuar të jepnim mendimin Rama, lidhur me nismën tënde të re, e kam të pashmangashme mos t’i shkruaj dy fjalë lidhur me këtë marrëzi…

Nëse do të kishe marrë mundimin të lexoje dhe mandej të kuptoje domethënien e fjalës- UNIVERSITET-, nuk do ta kishe ndërmarrë asnjëherë këtë nismë.

Çdo universitet, Rama ka në strukturën përbërëse, atë që quhet

-Njësia e brendshme e sigurimit të cilësisë (NJSBC)’’.

Sigurimi i brendshëm i cilësisë është një detyrim ligjor i institucioneve të arsimit të lartë duke qenë përgjegjëse për hartimin e politikave dhe procedurave për sigurimin e cilësisë.

Ky sistem, ngrihet nga institucionet e arsimit të lartë dhe funksionon nëpërmjet njësisë së sigurimit të brendshëm të cilësisë.

Struktura dhe funksionet e kësaj njësie përcaktohen ne statutin e institucioneve të arsimit të lartë.

NjSBC harton standardet për sigurimin e cilësisë së brendshme në përputhje me Kodin e Cilësisë.

Njësia realizon vlerësime periodike për veprimtarinë mësimore dhe kërkimore shkencore.

Detyrë e kësaj njësie është gjithashtu realizimi i pyetësorit të studentëve çdo fund semestri, mbi cilësinë e mësimdhënies për lëndët e çdo programi të ofruara nga IAL.

Cit- Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Kjo ide që ti e quan një përshkallëzim të ri kundër korrupsionit, në të vërtetë, është detyrë e Njësisë së Brendshme të Sigurimit të Cilësisë, që përbëhet nga shtatë anëtarë.
Pesë anëtarë janë përfaqësues të stafit akademik nga njësitë kryesore, një përfaqësues i Këshillit Studentor dhe një ekspert i jashtëm.
Anëtarët e njësisë në Universiteti miratohen nga Senati Akademik me propozim të Rektorit.

Detyrë sistematike e Njësisë së Brendshme të Sigurimit të Cilësisë, është edhe hartimi i pyetësorëve të studentëve në çdo fund semestri.
Hartimi i pyetësorëve bëhet me qëllim, që të identifikohen probleme dhe çështje të ndryshme.

Dhe ndonëse ti e ke vështirë ta besosh, pyetësorët nëse hartohen dhe lexohen ashtu siç duhet, nxjerrin në pah shumë të vërteta.
Pas përpunimit të të dhënave nga pyetësorët, hartohet një raport dhe dalin disa përfundime.
Duke u bazuar tek përfundimet, individët përgjegjës marrin masat e duhura, kundrejt çështjeve apo individëve të caktuar, në mënyrë që viti i ardhshëm akademik të jetë më i suksesshëm dhe problematikat e një viti më parë të mos shfaqen më.

Post Scriptum- Nga përvoja e universiteteve në perëndim, rezulton se çdo student para se të hyjë në një provim, plotëson një pyetësor, i cili përmban pyetje të ndryshme, qoftë për pedagogun e lëndës, qoftë për procesin mësimor në terësi.

Ndaj, kjo nismë Rama nuk më duket gjë tjetër, veçse nisma për t’u pajisur me kartën studentore të spiunit me pagesë.