Kryetari i Partisë!


Nga Indrit Vokshi

Sot qenka Dita Ndërkombëtare e Demokracisë! E gjithë demokracia shqiptare prej 29 vitesh ka pasur në qendër dhe në epiqendër, kryetarin e partisë. Në Shqipërinë si vend i njishit por edhe prej faktit se shoqëritë njohin dhe nxjerrin lider, Kryetari i Partisë, duke bërë edhe ai vetë përpjekjet nga ana e tij, ka arritur të jetë i mbirëndësishëm në ketë epokë të cilën si për t’i dhënë vetes kurajë, ne kemi vendosur ta quajmë demokraci. Kryetari i Partisë nuk është njeri, ai është organ, është figurë organizative e normative pushteti, ndaj dhe funksionon me rregullat dhe principet e një organi pushteti. Jo me parimet e njerëzisë e drejtësisë. Kryetari i partisë nuk është sjellje, ai është simptomë dhe virus, sepse edhe ata të cilët largohen nga partia duke e akuzuar kryetarin për diktator, themelojnë parti tjetër, bëhen kryetarë dhe nisin e sillen njëlloj si kryetari prej të cilit u larguan. Gjinushi u largua nga PS duke thënë “Po i largohem gjendrës së qelbit”, themeloi partinë e tij dhe u bë sundues, 27 vjet kryetar. Meta u largua nga PS duke akuzuar për autokraci, themeloi partinë e tij dhe u bë subdues absolut i partisë së tij. Dy shemuj të cilët përfaqësojnë edhe shembujt dhe skizmat e tjera. E gjithë demokracia e ashtuquajtur shqiptare, ka qenë dhe mbetet thjesht e drejta për të bërë pakt me kryetarët dhe për ta prishur paktin me kryetarët. Kur kryetari mban paktet, quhet burrë serioz, kur i prish paktet, del diktator. Kur palët e tjera mbajnë paktet, janë luajalë, kur prishin paktet, dalin tradhëtarë. Të gjithë në Shqipëri e kanë konceptuar të tillë demokracinë, fatkeqsisht. Jo si garanci, jo si procedurë që garanton thelbin por si pakt. Sepse askush nuk ka luftuar për të marrë diçka për të tjerët që janë anash dhe vijnë më pas. Demokracinë e ashtuquajtur e ka konfiguruar dhe formësuar, pa dyshim, modeli ekonomik që Shqipëria ka ndërtuar ose, më saktë, modeli që Shqipërinë e ka ndërtuar. Modeli i ekonomisë ndikon gjithçka. Kush i ka paratë! Sot janë të titulluarit oligarkë të cilët u japin formë edhe partive, madje hartojnë listat e deputetëve dhe shkruajnë ligjet. Janë gjithashtu individët e bandave të krimit. Paratë kanë rënë në këto duar. Nuk ekziston “Shoqata e Kasapëve” që të eksportojë e të fitojë e t’i kenë ata paratë. Nuk ekziston “Shoqata e Blegtorëve” që rrisin lopët për kasapët dhe t’i kanë ata paratë. Paratë i kanë oligarkët e titulluar të cilët nuk prodhojnë asgjë, vetëm marrin punë prej shtetit dhe kështu u pasuruan, me tendera. Ndaj demokracia shqiptare ska takat. Kryetari i Partisë si organi ose institucioni i kësaj demokracie, futet në mardhënie me qendrat e miniqendrat financiare, kjo është në fakt, normalitet. Mirëpo qendrat dhe miniqendrat duhej të ishin të tjera, jo këto, për të pasur premisa demokracie. E vërteta është se “Paratë flasin”, ndaj demosi nuk ka aq para sa për të folur ose për të ditur të flasë, në mënyrë që të konkretizohet demos-kracia. Nuk mund të ketë demokraci, republikanizëm kushtetues me kufizime të demosit, po. Mirëpo as këtu skemi tregur talent.