Prokuroria nis verifikimin e kryebashkiakut Mark Babani. Pritet marrja e shenjave të gishtërijve

Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimin e kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani.

Verifikimi nga Sektori i Dekriminalizimit ka nisur pas kërkesës së Partisë Demokratike për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të PS.

Sipas selisë blu, Babani dyshohet se ka fshehur ndalime, denime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i vuri në dispozicion prokurorisë të gjithë informacionin që disponon Partia Demokratike për kryebashkiakun e tretë të Edi Ramës, që sipas tij, rezulton me të kaluar kriminale.

Selia blu pretendon se Mark Babani ka gënjyer në formularin e dekriminalizmit. Sipas saj, Mark Babani ka përdorur në të kaluarën 3 identitete të tjera që nuk i ka deklaruar në formular.

Vetë kryebashkiaku i ka mohuar të gjitha këto pretendime.

“Gjithë jetën as babai im e as unë nuk i kemi bërë 24 orë burg. Gjithë jetën kam mbajtur emrin Mark Babani” u shpreh ai .