PD paraqet prova për manipulimin e socialistëve më 30 qershor

Partia Demokratike paraqiti ato që i konsideron prova me të cilat pretendon se socialistët kanë manipuluar procesin e 30 qershorit, sidomos në procesin e numërimit të votave.

Oerd Bylykbashi publikoi disa video që sipas tij vërtetojnë pretendimet e PD mbi atë që ka ndodhur në zgjedhjet e 30 qershorit, ku opozita vendosi të mos merrte pjesë.

“Grupet e numërimit dhe KZAZ e kontrolluara vetëm nga PS kanë manipuluar shifrat që kanë dalë nga numërimi i fletëve të votimit në çdo tavolinë. Shpesh herë fletët e votimit janë marrë në grup dhe nuk janë marrë veç e veç. Fletët e votimit janë numëruar jashtë kamerave, detyrim i kodit zgjedhor. Në kutitë e votimit janë gjetur fletë votimi pa vulat e komisionit”, u shpreh Bylykbashi.

Si shembull për manipulimin zgjedhor, me rritjen e numrit të votuesve dhe tjetërsimin e fletëve të pavlefshme, Bylykbashi publikoi shifra nga disa KZAZ, si në Urën Vajgurore, Pogradec, Shkodër, Tiranë e Elbasan.