Basha në Bruksel | Vendim politik për negociatat e kërkesë për zgjedhje të ndershme


MARINGLEN KUME
/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha dje se vendet anëtare të Bashkimit Europian po i bëjnë presion qeverisë nëpërmjet procesit të negociatave për të tejkaluar krizën politike.

Gjatë një interviste nga Brukseli, kryedemokrati Lulzim Basha tha se tashmë Shqipëria ndodhet më larg BEsë, pasi jo vetëm që nuk ka zbatuar rekomandimet e OSBE/ODHIR për përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve, por i ka përkeqësuar ato. Megjithatë, sipas Bashës, Europa i ka dyert e hapura për Shqipërinë, por duhet një vendim politik për tejkalimin e krizës.

“Në Asamblenë Politike të PPE-së, kam gjetur mundësinë për t’u shpjeguar partive tona simotra, se me gjithë gjendjen e vështirë, me gjithë faktin se tashmë e pranon gjithkush se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet e vëna për të hapur negociatat, lypset një vendim politik. Një vendim politik, i cili nga njëra anë t’i sinjalizojë popullit shqiptar se Europa me të vërtetë i mban dyert e hapura dhe nga ana tjetër, për t’i dhënë një mesazh të qartë autoriteteve shqiptare, se Bashkimi Evropian, vendet anëtare, tashmë përmes procesit të negociatave, do të ushtrojnë presion të shtuar mbi qeverinë. Ky presion do të ndihmojë për të kapërcyer krizën kushtetuese, demokratike dhe institucionale të vendit, përmes të vetmit instrument që njeh Evropa, që njohin demokracitë, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Lulzim Basha.

KUSHTET

Ditët e fundit po flitet që më 18 tetor këshilli evropian të japë një po me kushte për Shqipërinë. Kushte të cilat lidhen me tejkalimin e krizës politike. Kryedemokrati la të kuptohet se një nga kushtet duhet të jetë arrestimi i politikanëve të kapur në krim zgjedhor që kanë qenë pjesë e dosjes 339 dhe 184. Por sipas tij në Shqipëri po ndodh e kundërta. “Kriteri bazë për të qenë anëtar i Bashkimit Europian është demokracia dhe këtu konvertojnë jo vetëm interesat e PD dhe opozitës së bashkuar, por të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, për t’i dhënë fund një autokracie të korruptuar dhe të lidhur me krimin, dhe garantuar kushtet për demokraci funksionale. Kjo do të thotë votë të lirë dhe të ndershme, ndëshkim politikanëve të kapur duke bashkëpunuar me krimin për të vjedhur zgjedhjet. E kundërta po ndodh sot në Shqipëri, çështjet e famshme, dosjet “184” e “339” nuk hetohen, dosjen “184” e ka çuar në Dibër që ta mbylli. Një qasje e tillë do të ndihmonte përpjekjen jo vetëm të opozitës, por të gjithë shqiptarëve për të rivendosur vendin në shinat e sundimit të ligjit, të ndëshkimit të politikanëve të lidhur me krimin dhe mbi të gjitha me zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë i vetmi hap që mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ku ndodhet”, tha Basha.

ZGJEDHJET

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se pret nga Bashkimi Europian që të ashpërsojnë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme para çeljes së negociatave. Sipas tij, BEja vendosi kushte edhe një vit më parë për zgjedhjet, por në qershor ato nuk u përmirësuan, por u përkeqësuan. “Bashkimi Europian i vendosi zgjedhjet e lira si kusht edhe vitin e kaluar. Në fakt, jo vetëm që nuk u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme, por vendi nuk zhvilloi dot as zgjedhje demokratike. Shkoi drejt një procesi monist me një parti që vetë kandidonte, vetë votonte, vetë numëronte, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjet, duke dhunuar institucionet kushtetuese, duke shpërfillur dekretet e Presidentit të Republikës. Nuk ka zgjedhje në Republikën e Shqipërisë pa dekret dhe këto ishin votime që u zhvilluan pa asnjë bazë kushtetuese dhe juridike. Këtë thotë edhe raporti i OSBE-ODHIR-it, që është përmbledhja më domethënëse e problematikës shqiptare. Aty tregohet qartë se vetëm pasi opozitës iu mohua çdo rrugëdalje institucionale, siç ishte propozimi që bëmë për të ndarë politikën nga krimi me ligjin për vetingun e politikanëve, ne u detyruam drejt hapave që hodhëm për të shpëtuar demokracinë, për interesin publik, jo për pushtetin tonë. Ndaj, në këtë kuptim, nuk pres të ketë ndryshim të kushteve të vendosura tashmë nga Bashkimi Europian, por vetëm forcim të tyre”, tha Basha.

DEMOKRACIA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se çelja e negociatave duhet të shërbejë për forcimin e institucioneve dhe forcimin e demokracisë. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar qëndrojnë fuqishëm për integrimin europian dhe kërkojnë që edhe procesi i hapjes së negociatave t’i shërbejë fitores së kësaj kauze. Kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si themel i demokracisë, i llogaridhënies para qytetarëve dhe i një shoqërie të drejtë dhe të barabartë përpara ligjit. Këto janë themelet e Europës, këto janë themelet e çdo vendi anëtar të BE-së dhe duke pasur me vete në këtë kauzë edhe autoritetin e BE-së dhe vendeve anëtare, i bëjmë një shërbim të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe afrojmë ditën e fitores së kësaj beteje, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e krizës së tmerrshme politike dhe ekonomike ku e ka zhytur vendin qeveria aktuale”, deklaroi Basha.

Ndërkohë sipas tij, tashmë janë ndërgjegjësuar edhe ndërkombëtarët që nëse situata mbetet e njëjtë, Shqipëria i largohet më shumë BE-së. “Pa dyshim, në Bruksel ka një vetëdijesim të madh për krizën e thellë të demokracisë, për krizën e thellë të sundimit të ligjit në Shqipëri. Një meritë e madhe i takon Partisë Demokratike, i takon opozitës që ka bërë betejat e duhura për Shqipërinë, për shqiptarët. Është e qartë se me mënyrën si po zhvillohen ngjarjet në vend, Shqipëria po i largohet Europës”, pohoi Basha.

Kreu i selisë blu ishte në një vizitë pune në Bruksel, ku është takuar me deputetët e partisë simotra, PPE. Më 17-18 tetor, Këshilli Europian mblidhet për të vendosur nëse do të japë një datë për çeljen e negociatave Shqipërisë. Ditët e fundit është diskutuar se Shqipërisë mund t’i çelet drita jeshile, por me kushte të forta. Ndërkohë, kreu i qeverisë, Edi Rama, në një mbledhje me grupin e tij parlamentar u kërkoi që të mbajnë bazën të karikuar, pasi në mars mund të ketë zgjedhje të parakohshme.