Arsyet pse opozita duhet të përleshet me pushtetin e sekti “Rilindje”

Nga: Ervis Zholi, Nova Media.al

Opozita shqiptare do të jetë prej nesër para një prove serioze për të mos zhgënjyer mbështetësit e saj, të cilët kërkojnë një betejë përfundimtare dhe radikale me qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Për gati një vit
mbështetësit e saj janë ballafaquar me dy qëndrime politike, me qëndrimin konstant dhe të vendosur të Rama për të mos përfillur kërkesat e tyre dhe për të ndërtuar një shtet klasor kundër çdo faktori opozitar në vend, dhe, nga ana tjetër me një politikë opozitare fleksibël, e cila i përshtatet rrethanave dhe këshillave ndërkombëtare duke humbur shpesh qartësinë e saj kundër pushtetit.

Rama vazhdon të qeverisë me arrogancë dhe me deformim të thellë të standardeve demokratike në vend. Tashmë besimi i qytetarëve shqiptarë te transparenca e zgjedhjeve, jo vetëm që ka rënë, por është bërë dhe një çështje e padobishme në raport me keqqeverisjen dhe papërgjegjësinë, me të cilën qeveria po zhyt vendin në krizë ekonomike dhe humbje të lirive njerëzore.

Arsyet për t’u përleshur me pushtetin sot janë shumë më të mëdha se arsyet për të verifikuar mënyrën se si pushteti ka arritur të mos rrëzohet nga zgjedhjet. Arsyet për t’u përleshur për shtetin klasor të Edi Rames, për arrogancën e qeverisjes, për rikthimin e figurave të periudhës më të errët të pluralizmit në Shqipëri, për zhytjen e vendit në krizë ekonomike dhe lënien e qytetarëve në mëshirë të faturave të çmendura të dritave, ujit dhe ushqimeve, janë sot arsye themelore që kanë rritur pritshmërinë e qytetarëve për një protestë masive dhe maratonë.

Opozita gjendet kështu për herë të parë para një zgjedhje (votime Partia Socialiste) të vështira.

Ajo duhet të zgjedhë mes taktikave të saj dhe strategjisë për të mposhtur arrogancën e pushtetit. Nëse do të vazhdojë të taktizojë duke u kompleksuar nga akuzat e qeverisë për radikalizëm dhe dhunë, ajo jo vetëm që do të dështojë në këtë protestë, por do ta ketë shumë më të vështirë për t’i rinxjerrë njerëzit sërish në rrugë kundër qeverisë. Beteja me pushtetin ka nevojë për qartësi dhe moral. Kur njerëzit vendosin të dalin në rrugë, duhet ta ndjejnë atë si detyrim të tyre, si problem të tyre dhe jo si problem të lidershipit të opozitës. Për këtë arsye me protestën nuk mund të luhet si me rrogat apo dietat e deputeteve.

Ajo ose do të bëhet pjesë natyrale e protestës së shoqërisë, ose do të dështojë nëse bëhet pjesë e taktikave të lidershipit të opozitës. Arsyet për të protestuar sot janë shumë më të mëdha se ato që kanë ekzistuar më 8 qeshor dhe arsyet për të mos ndalur protesta, është shumë e fort se në çdo periudhë të qeverisjes së Edi Rama. Në Shqipëri demokracia nuk ka qenë kurrë kaq e bllokuar pas vitit 1997 dhe shteti nuk ka qenë kurrë kaq shumë i shtrënguar në darët e pushtetit personal.

Drejtësia nuk ka qenë kurrë kaq e pafuqishme ndaj krimeve në flagrancë të pushtetit dhe qytetarët nuk kanë qenë kurrë më të pasigurt për të ardhmen e tyre se sa sot.

Për të gjitha këto arsye, sot nuk është opozita politike ajo që përfaqëson qytetarët të cilët duan të protestojnë, por janë qytetarët ata që formojnë opozitën reale që kërkon të përleshet me pushtetin dhe ta fitojë betejën me të.