Prokurorët kërkojnë 12 vite burg për Tahirin. Përgjimet ambientale e gozhdojnë

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Por me pranimin e gjykimit të shkurtuar nga gjykata, Tahirit automatikisht i ulet një e treta e dënimit. Kështu ai do të dënohet me 8 vjet burg nëse pranohet nga gjykata.

Gjatë pretencës ku organi i akuzës lexoi konkluzionet, ish-ministri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë, konkretisht: 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.

Sipas prokurorisë, Tahiri së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.

Në seancë u lexuan disa përgjime ambientale dhe telefonike. Në seancë, ish-ministri i Brendshëm Tahiri ka vijuar mbrojtjen.

Ai ka sjellë në sallën e gjyqit një tabelë për të paraqitur argumentat.

“Për sasinë e parë që më akuzoni kisha vetëm një javë që kisha marrë detyrën, ndërsa për sasinë e dytë vetëm dy muaj.Habilajt kanë qenë disa herë të proceduar gjatë kohes që unë kam qenë Ministër.”

Ish-ministri Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela akuzohen për trafik të lëndeve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave në kuadër të grupit të strukturuar.