A ka bërë Pazar Ilir Meta?

Nga Indrit Vokshi
Shumë njerëz po shkruajnë se Ilir Meta ka kopsitur një pazar të ri me Edi Ramën. Fakti që deputetët socialistë në Komision nuk ishin të ashpër dhe fakti që pas mbarimit të seancës ulsiane presidenti Meta ia behu për kafe tek zyra e kryetarit Gramoz Ruçi, paskan ngritur dyshime. E para, deputetët nuk kishin pse dhe si të ishin të ashpër. Nuk kishin lëndë të parë për ashpërsi. Aty kishte vend vetëm për një pyetje; mbi dekretin. Për më tepër, në nivel personal, psikologjik e emocional ata qyqarë parlamentarë nuk kanë kaçik të jetë të ashpër me Ilir Metën.

E dyta, kafja tek Gramoz Ruçi është kortezi mes dy titullarëve më të lartë të shtetit, njëkohësisht edhe miq. Kushdo të ishte kryetar Kuvendi, nëse presidenti do të shkelte në institucionin që ai drejton, do ta ftonte në zyrë. Kushdo që të ishte president, smund të shkelte në kuvend e të mos pranonte ftesën e kryetarit të kuvendit. Këto janë rregullat e mirësjelljes mes njerëzve që kanë 30 vjet në institucione.

Nuk është kjo provë e ndonjë pazari. Jo se smund të ketë pazar por nuk janë këto shenjat të cilat po ndodhën, tregojnë se ka pazar. Në lidhje me shqetësimet apo vetëm dyshimet për pazar nga ana e demokratëve kundrejt Metës, dyshime që shprehen me akuza dhe u kujtohen befas se Ilir Meta është i majtë, po, Ilir Meta i majtë është.

Përtej të majtës ideologjike, Ilir Meta është taraf i të majtës historike, gjeografike dhe lobingu i tij i interesave lidhet me njerëz të së majtës. Familje ish-ushtarakësh të rregjimit, ish-sigurimsash, ish-zyrtarë etj. Aty buron fuqia. Ilir Meta ka qenë kryeministri i të majtës dhe favorit kryesor për të qenë kryetar i Partisë Socialiste. Edhe në dekleratën shpërthyese të datës 2 korrik si president, Meta theksoi se është i majtë, se është socialist dhe social dhe, do të vdesë i majtë. Kushdo që ka krijuar iluzione se Ilir Meta është shenjti mbrojtës i demokratëve, gabon. Nuk e ka ketë detyrim dhe atribut Ilir Meta, nuk na e ka si borxh, as mund ta ketë, as duhet ta ketë. Ndaj nuk mund t’i kërkohet atij, nuk mund të pritet prej atij.

Sot, fatkeqësisht, aktorët kryesorë dhe të fuqishëm politikë dhe ekonomikë të Shqipërisë janë prej të majtës historike. Meta president, Ruçi kryeparlamentar dhe Rama kryeministër. Partia Demokratike si përfaqësuese e të djathtës, ka marrë tëposhten elektorale prej vitit 2008 dhe është dobësuar në kuptimin e të qenit qendër pushteti në Tiranë. Faktorët dhe fajtorët që e kanë shkaktuar dobësimin lidhen si me qeverisjen 2008-2013, si me opozitën 2013-2019.

Ndaj sot mbahen sytë nga Ilir Meta kur në fakt duhet të ishin të tjerët me sy nga ne, ngaqë janë mundësitë pre të qenë me sy nga ne. Ilir Meta deri tash nuk ka shenja pazari, po as pazari nuk do të ishte çudi. Kush e njeh botën politike e di se marrëveshjet me kapërcime e kanë shoqëruar njerëzimin prej lindjes së tij e deri sot. Mendimi se Meta ka pazar me Ramën sot i intereson Ramës për të hutuar mbështetësit e opozitës. Megjithatë Partia Demokratike ka vetëm një rrugë, forcimin dhe fortifikimin e vetes, garantimin e vetes për të qenë e mbrojtur dhe më pak e dëmtuar në çdo situatë. Nuk është puna tek pushteti, pushtetin e fitoi edhe 5 Yjet, se pushteti ndërrohet për rrethana e kalkulime. PD do e fitojë pushtetin por nuk është e rëndësishme fitorja e pushtetit, aq sa ka rëndësi forcimi si qendër pushteti. Për më tepër ka rëndësi forcimi i PD si pushtet identitar.