Trump anulon bisedimet| Talebanët paralajmërojnë vrasje të amerikanëve

Talibanët kanë paralajmëruar të dielën se anulimi i bisedimeve mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara nga ana e presidentit amerikan nënkupton më shumë vrasje të ushtarëve amerikanë, ndërsa ShBA-ja ka premtuar se do ta vazhdojë presionin ushtarak ndaj militantëve, shkruan “The Guardian”.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talibanëve, e kritikoi presidentin Trump për anulimin e negociatave dhe tha se forcat amerikane e kanë goditur Afganistanin me sulme edhe gjatë kohës së bisedimeve.

“Ky veprim do t’i sjellë Shteteve të Bashkuara më shumë humbje të jetëve. Kredibiliteti i tyre do të preket, qëndrimi i tyre kundër paqes do të shfaqet para botës, do të rritet humbja e jetëve dhe aseteve”, thuhet në deklaratën e talibanëve.

Talibanët kanë konfirmuar më parë përmes një deklarate se presidenti amerikan ka kërkuar nga ta në fund të gushtit që t’i vizitojnë Shtetet e Bashkuara për bisedime sekrete.

Grupi militant u zotua se do ta vazhdojë luftën, por e la të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave. Në deklaratë thuhet: “Nëse rruga e bisedimeve zgjidhet para rrugës së luftës, ne jemi të përkushtuar ndaj saj deri në fund”.