Martesat “dështuan” bisedimet për marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin


Zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë u vendosën më 7 shtator 1991, por përpjekjet në fakt kishin nisur që në vitet ’20- ’30.

Sipas dokumenteve të kohës, të publikuara nga arkiva online e MEPJ-së, bëhet fjalë për një periudhë shumë të rëndësishme në shtetformimin tonë dhe në ngritjen e institucioneve të nje shteti modern.

“Statuti i Zgjeruar i Lushnjës”, i miratuar nga Këshilli Kombëtar në dhjetor 1922, i cili shënonte një fazë më të avancuar të përcaktimit të rendit shtetëror, konfirmonte laicitetin e shtetit shqiptar, ndarjen e shtetit nga feja, kur shprehej “ Shteti nuk ka fe zyrtare”. Kjo frymë u rikonfirmua edhe në periudhën republikane, 1925-1928, dhe në Statutin e Monarkisë 1928.

Pjesë nga modeli i Konkordatit

Në vitin 1922, Fan Noli në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, kërkoi dërgimin e një përfaqësuesi të shtetit shqiptar pranë Selisë së Shenjtë në përpjekje për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetin e Vatikanit. Në praktikën e Selisë se Shenjtë në këtë periudhe, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me një shtet të caktuar duhej arritur nënshkrimi i Konkordatit, një traktat i veçante që rregullonte marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me shtetin përsa i përket të drejtave që gëzonte popullsia e besimit katolik në atë shtet. Edhe vetë shteti italian nënshkroi një konkordat të tille me Selinë e Shenjtë në shkurt 1929.

Pasi u konsultuan modele të konkordateve që kishte nënshkruar Selia e Shenjtë me Bavarinë, Letuanine, Serbinë, Lituanine, Estoninë, Holanden etj. më pas edhe me Rumaninë, qeveria shqiptare ngriti në korrik të 1927 një Komision të përbërë nga Mehdi Frashëri, Lec Kurti, Torenc Toçi, Kol Thaçi e Imzot Bunati për të hartuar një projekt-konkordat, duke respektuar Statutin e shtetit dhe praktikat e ndjekura nga Selia e Shenjte, e që ti paraqitej për miratim Këshillit të Ministrave. Ky projekt-konkordat u miratua në Këshillin e Ministrave në dhjetor 1927. Qeveria shqiptare ngarkoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të propozonte delegacionin negociues per të shkuar në Vatikan e për të arritur dakordësinë dhe nënshkrimin e Konkordatit. Delegacioni do përbëhej nga Jak Koçi deputet, dhe Dhimitër Popa. drejtor politik në MPJ. Delegacioni mbërriti në Romë në fund të dhjetorit 1927, por takimet në Vatikan u zhvilluan në janar 1928.

Bisedimet vazhduan një muaj, por nuk u arrit dakordësia në disa pika, ndër më të rëndësishmet ishte raporti midis martesës civile dhe martesës fetare.
Me dëshirën e mirë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjte, qeveria shqiptare vazhdoi tu kërkonte përfaqësive të saj të sillnin modele trajtimi të çështjes së martesës civile dhe divorcit në Francë, Spanjë apo Greqi.


Bisedimet ne vitin 1930 u zhvendosen në Tirane Delegacioni shqiptar përbehej nga Rauf Fico, Minister i Jashtëm dhe Vasil Avrami Ministër i Drejtësisë, ndersa Selia se Shenjtë përfaqesohej nga Arqipeshkvi i Shkodres Imzot Lazer Mjeda. Imzot Mjeda u përpoq per të gjetur një formulë të moderuar për çështjet e debatueshme që respektonte Kodin Civil të Shqipërisë dhe nuk cënonte integritetin dogmatik të kishës katolike.

Reformat arsimore që Zogu ndërmori në vitin 1933 në kuadër të forcimit të një shkolle kombëtare, duke mbyllur të gjitha shkollat private në gjuhë të huaj, ngadalsuan bisedimet për arritjen e Konkordatit. Meqenëse asnjëra nga palët nuk po avanconte në qëndrimet e veta, Lufta e Dytë Botërore ndërpreu çdo përpjekie në këtë drejtim.