Interpol listë me 114 shqiptarët në kërkim | “Enfast” në gjurmë të personave më të kërkuar

Një tjetër person i shpallur ne kërkim ndërkombëtar u arrestua nga policia. Ilmi Demiraj kërkohej nga autoritetet italiane pasi gjykatat e vendit fqinj e kanë dënuar me 8 vite burg për vjedhje me dhunë.

Por në listat e Interpol me kartelë të kuqe rezultojnë edhe 114 shqiptarë të tjerë të kërkuar për vepra të rënda penale.

Krahasuar me nacionalitetet e tjera, edhe në listat e Interpol shqiptarët renditen ndër shtetasit me të kërkuar që i kanë shpëtuar drejtësisë.

Pikërisht për kapjen e këtyre personave me rrezikshmëri të lartë së shpejti do të nisë së funksionuari njësia policore “ Fast ”.

Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se ka përfunduar rekrutimi i efektivëve që do të jenë pjesë e sektorit të veçantë që do t’i bashkëngjitet forcave Operacionale.

Bëhet fjalë për rreth 50 efektivë të përzgjedhur edhe nga forcat speciale të ushtrisë. Një pjesë e tyre do të jenë të gatshëm në terren 24 orë në 24 ndërsa pjesa tjetër “inteligjente” do të gjurmojë të kërkuarit përmes teknologjisë edhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me partnerët ndërkombëtarë.

Para pak javësh edhe kryeministri Rama e cilësoi këtë njësi si “ tmerrin e të fortëve ”.

Projekti ENFAST i miratuar ne vitin 2013 ka si qëllim që të rrisë sigurinë në Bashkimin Europian, duke përmirësuar eficencën e bashkëpunimit të policisë të finalizuar me lokalizimin dhe arrestimin e kriminelëve të kërkuar në nivel ndërkombëtar dhe që kanë kryer krime të rënda.