Propaganda është industria kryesore për ekonominë e pushtetit

Çfarë është propaganda?
Nga Indrit Vokshi

Propaganda nuk është kot, sa për të dalë prej situatës. Pra nuk është utilitare dhe aq. Propaganda është industria kryesore për ekonominë e pushtetit. Si e tillë ajo ka rregullat, principet dhe hilet e saj. Ndryshe nga sistemet e para 200 vitesh ku industri të ekonomisë së pushtetit ishin feja, shpata, tradita e miti dhe propaganda nuk qe aq e sofistikuar, prej 100 vitesh veti kryesore e totalitarizmit (komunizmit, socializmit, fashizmit, nazizmit, etatizmit) është propaganda, agjitacioni kundër tjetrit. Propaganda është shtuar si pushtet. Propaganda është pushteti i katërt që kur i intereson, arrin të diskretitojë e të mposhtë edhe tre pushtetet të supozuara para saj. Propaganda mediatike arrin të gjunjëzojë parlamentin, qeverinë, gjyqësorin dhe nuk ka kush e akuzon për luftë kundër institucioneve, pasi ska prej ku e akuzon. Ndërsa këta tre pushtete nuk arrijnë ta eleminojnë propagandën ngaqë quhet luftë kundër medias e lirisë. Kur e eleminojnë, quhet diktaturë. Propaganda është armë efektive. Nëse me ushtri thjesht mund t’i kontrollosh fizikisht njerëzit, mirëpo ata me bindje janë kundër dhe presin rastin dhe mungesën e vigjilencës për tu revoltuar përsëri, me propagandë ndryshon puna. Me propagandë, duke u ndryshuar emrat dhe kuptimet veprimeve dhe ngjarjeve, duke u dhënë tjetër shpjegim dhe të tjerë fajtorë e meritorë, arrin që të mos kesh nevojë për kontroll fizik me ushtri. I kontrollon njerëzit mendërisht. Ke mendjen e tyre nën kontroll dhe ata nuk veprojnë përtej parashikimeve. Industrua e propagandës është arma më e frikshme që ka shpikur njerëzimi.

more recommended stories

loading...