Pekini: Marrëdhëniet kino-ruse nuk drejtohen kundër SHBA

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Geng Shuang shprehu miratim mbi vlerësimet pozitive të disa zyrtarëve të lartë rusë mbi marrëdhëniet e Rusisë me Kinën. Ai theksoi se këto marrëdhënie, që janë ngritur në bazë të respektit të ndërsjellë, të barazisë dhe të leverdisë reciproke, nuk drejtohen kundër asnjë pale të tretë dhe as nuk provokohen a dëmtohen nga ndonjë palë e tretë.

Të enjten, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, zv.ministri i Jashtëm Igor Morgulov dhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Maria Zakharova komentuan pozitivisht mbi problemet e lidhura me marrëdhëniet kino-ruse, duke u shprehur se këto marrëdhënie kanë arritur në nivelin më të lartë historik dhe se të dyja palët po zhvillojnë bashkëpunim të gjithanshëm dhe bashkërendim strategjik. Pala ruse u shpreh gjithashtu se çështjet e Hong-Kongut janë punë të brendshme të Kinës dhe se Rusia e Kina duhet të ngulin këmbë në parimet përkatëse dhe të kundërshtojnë ndërhyrjen e çdo force të huaj në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Geng Shuang tha të premten në një konferencë shtypi se pala kineze bie dakord me qëndrimin e palës ruse. Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe kino-ruse, të cilat po hyjnë në epokën e re. Udhëheqësit e të dy vendeve kanë ruajtur kontaktet e ngushta dhe kanë drejtuar zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve nga lartësia strategjike.