Borxhi Publik! Si ndikon në jetët tona



Nga Indrit Vokshi

Ka njerëz në ketë republikë të cilët nuk i shqetëson alarmi për borxhin publik. Nuk e kuptojnë rrezikun, kjo prej mungesës së njohjes. Nuk e dinë. Nuk e ndjejnë të afërt. Nuk e ndjejnë si temë e cila u përket. Borxhi për ta është diçka atje larg. Mjafton që ne të mos i kemi borxh ndonjë kushëriri a miku dhe borxhet e tjera nuk na interesojnë. Mirëpo ka një mënyrë për ta shpjeguar. Supozojmë se Beni e ka rrogën 5 milion në vit dhe ka 10 milion borxh të cilat duhet t’i shlyejë brenda 10 viteve. Do pagujë ujë, drita, ushqim, fatura dhe 1 milion lek do paguajë borxh. Pra 4 milion shpenzime, 1 milion borxh. Kështu harxhohet 5 milionëshi vjetor i Benit. Nëse Beni merr edhe 10 milion të tjera borxh dhe i harxhon, buxheti 5 milionesh i Benit shpenzohet: 3 milion për familjen, 2 për shlyerje borxhi. Nëse merr edhe 10 milion të tjera, buxheti shpenzohet në 2 milion për familjen dhe 3 milion për shlyerje borxhi. Pra familja e Benit ka më pak para për fatura, ushqime, veshje e nevoja të tjera. Sepse 30 milionët borxh nuk i ka investuar në biznes që të ardhurat vjetore t’i shkonin nga 5 milion në 15 milion dhe të paguante 3 milion borxh në vit dhe 12 milion t’i mbeteshin por, ka harxhuar, pa investuar.
Edhe qeveria Rama sot, ta zëmë ka buxhet vjetor 4 miliard euro. Plot 100 milion i alokohen ushtrisë, 160 milion ushtrisë e me rradhë dhe, kështu shpenzohen. Ka gjithashtu një shumë vjetore që duhet ta paguajë për borxh. Qeveria çdo vit duke marrë borxhe e duke dhënë konçesione me afat të gjatë, rrit shumën vjetore që duhet të paguajë si borxh. Siç Benit nga 1 milion në vit i duhej të paguante 3 milion, edhe qeverisë i duhet të paguajë nga 100 milion në 200, pastaj nga 200 në 300 milion. Kjo dmth se mbeten më pak para për rendin, ushtrinë, arsimin, shëndetësinë e me rradhë sepse ato shkojnë për të paguar borxhet. Njëlloj si me Benin, borxhet nuk janë investuar në ekonomi që buxheti nga 4 miliard në vit të shkonte në 6 miliard dhe kësti i borxhit të mos impononte paksimin e parave për rend, shëndetësi e arsim. Borxhet janë harxhuar e përvetësuar. Disa njerëz, Rama me kompani, kanë marrë borxh në emër të shqiptarëve dhe nuk kanë investuar asgjë në ekonomi që ekonomia të fitonte më shumë dhe borxhi të shlyente veten, madje jo vetëm të shlyente veten por të dilnim me fitim. Ata kanë marrë borxh, borxhin e mbajnë shqiptarët, paratë nuk dihet ku kanë përfunduar ose janë kanalizuar për tek Byroja Politike e Biznesit. Me ato borxhe që u ngarkohen shqiptarëve nuk po ndërtohet ekonomi për shqiptarët. Me ato borxhe po ndërtohen vila, kompani, po blihen bizhu etj. Shqiptarët po paguajnë pasurimin e Byrosë Politike të Biznesit. Nuk merret borxh për rrugë, për vepra strategjike në ekonomi që do shumojnë paranë. Nuk merret borxh për shkolla policie e ushtrie që do ia rrisin Shqipërisë sigurinë. Merret borxh për tu harxhuar. Qeveritë që marrin borxh për ta harxhuar, duhen dëbuar e shkatërruar. Të mos e mendojmë si diçka jo aq të rëndë ketë punën e borxhit.