ANALIZA| A është SHBA vendi i Plutokracisë?

Një nga akuzat më të shpeshta të së majtës dhe mbi të gjitha neo-komunistave është se SHBA është vendi i plutokracisë. Natyrisht, akuza të tilla gjejnë mbështetje edhe nga brenda SHBA, shembulli i AOC (e paditur në fakt në ekonomi) mund të mjaftojë. Mirëpo që prej disa ditëve një grup i madh bipartizan prokurorësh shtetesh kanë nisur një hetim për gjigandët e teknologjisë në SHBA.

Të hetosh Google, Facebook apo ALPHABET (bijë e Google) është të hapësh lakrat për ato që janë oligarkë të rëndë e në shumë raste edhe monopole. Kryeprokurori i Teksas, republikani Paxton, do të hetojë këto kompani nëse kanë shkelur apo jo ligjin anti-trust dhe kanë përdorur algoritmet për të detyruar konsumatorin të blejë një produkt të caktuar. Ndërkohë që prokurori demokrat i Nju Jork, Letitia James, po heton këto kompani për përdorimin e të dhënave të përdoruesve të tyre. Këto hetime bëhen në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim të imtësishëm për 5 gjigandët e teknologjisë prej disa javësh.

Me standartet shqiptare një hetim i tillë nuk do të ishte i mundur dhe as do të jetë ndonjëherë i mundur. Me standartet e amerikanëve të shqiptarizuar në Shqipëri, ky hetim do të quhej i politizuar meqë partitë politike në SHBA kanë emëruar Prokurorët e tyre dhe jo KLP-ja e Gent Ibrahimit.

Edhe kësaj here, sistemet racionale dhe tradita kanë prevaluar mbi shpikjet faustiane.