13 tetori në raportin e ODIHR

Nga Vehap Kola
Përse misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR përmendi dekretin e Metës për 13 tetorin si datë e re zgjedhjesh dhe e konsideroi shkelje të ligjit mosbotimin e tij në fletoren zyrtare? Gjithkush duhet të ishte befasuar që një mision që kishte zbarkuar për të vëzhguar votimet e 30 qershorit, në raportin e tij për këto zgjedhje kritikon mospublikimin zyrtar të një dekreti që cakton një datë tjetër zgjedhjesh.

Duket ODIHR nuk paska ardhur në Shqipëri thjesht për të vëzhguar votimete 30 qershorit dhe për të dhënë një opinion rreth tyre. Jo, përkundrazi, detyra që i është ngarkuar tij i bie të tjetë më e gjerë: të mbikqyrë vetë mekanizmin e zgjedhjeve dhe mënyrën e funksionimit të tij. Kjo, s’do mend, del jashtë pritshmërive të regjimit në radhë të parë. Regjimit i është prishur gjumi nga ngulmimi i misionit vëzhgues për t’u marrë me zgjedhjet si mekanizëm dhe jo thjesht me votimet e datës 30 qershor.

Shprehja e një opinion nga ODIHR për një datë tjetër zgjedhjesh mund të përftojmë të paktën 2 vlerësime: (1) ODIHR vlerëson se votimet e 30 qershorit u bënë sipas vullnetit të njërës palë e cila mori në dorë edhe gurin edhe arrën, dhe (2) ODIHR kërkon një datë tjetër për zgjedhjet, një datë kushtetuese në të cilën zgjedhjet nuk bëhen sipas qejfit të palës në pushtet, por sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Deri sot e vetmja mundësi për të bërë zgjedhje në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit është data 13 tetor e dekretuar nga Presidenti Meta.

Më shumë se të gjithë vlerësimet negative dhe notat jokaluese që ODIHR u ka vënë votimeve të 30 qeshorit, regjimin e shqetëson pikërisht përmendja e dekretit të Metës për 13 tetorin dhe fajësimi i qeverisë si bllokuesja e zbatimit të tij. Natyrshëm që propaganda qeveritare do të përpiqet të kapet pas frazash pa shpirt të raportit si “votimet u zhvilluan të qeta dhe pa dhunë”, por votime më të paqshme dhe më të hareshme se këto të Ramës janë votimet në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe Korenë e Veriut të Kim-it.

Raporti i vëzhgimit nuk e thotë shprehimisht në asnjë rast nëse zgjedhjet ishin të lira apo ndershme. Propaganda e Ramës dhe Veliajt do të fshihet pas gishtit me argumentin se raporti nuk thotë se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme. Ndërsa thelbi është se ODIHR nuk i konsideron këto zgjedhje të vlefshme për të marrë një notë, sepse institucioni më i famshëm i vëzhgimit të zgjedhjeve pret zhvillimin e zgjedhjeve reale që të vendosë një notë për to.