Ku calojne alternativat antisistemore ne Shqiperi

Nga Marlin Muca

Politika shqiptare e 30 viteve te fundit eshte dominuar polarisht nga dy forcat e medha politike te dala nga ndryshimet demokratike te fillimviteve 90. Gjatë tre dekadave politikbërjeje, aktorë të ndryshëm politikë janë shkëputur nga trungu amë i dy partive të mëdha për të formuar alternativa të reja politike me premtimin e “rrëzimit“ të sistemit të vjetër 2partiak dhe hegjemonisë së dy përbindshave të mëdhenj të tranzicionit. Pas disa viteve oponence këto parti u detyruan të shkriheshin me paraardhëset e tyre apo më keq: “ të shkriheshin përfundimisht nga konkurrenca e pandershme partiake“. Historia e formacioneve antisistemore në Shqipëri është një epos gënjështrash të trasha që mundën të rrëmbenin mendjet e brishta dhe shpirtrat e tradhëtuar të një vendi në krizë . Ato nuk arriten të realizonin një performancë të pëlqyeshme në zgjedhje dhe dështuan të tërhiqnin elektoratin drejt një alternative ndryshe nga aktorët ekzistuesë .
Vitet e fundit, në Shqipëri ashtu si dhe në shumë vende të tjera në Europën e post krizës ekonomike janë formësuar disa struktura në formë organizatash, OJF-sh dhe së fundmi partish politike të cilat mëtojnë t`iu servirin shqiptarëve dicka ndryshe nga garnitura bajate e cerekshekullit që lamë pas. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Bota demokratike njeh cdo organizatë politike parimet e të cilave nuk shkelin Kushtetuten dhe ligjet e tjera të vendit. Pluralizmi politik lejon edhe ato organizata me nëntekst antidemokratik e me synime të qarta të përmbysjes të cdo vlere liberale të arritur 300 vitet e fundit. Ndryshimi nga alternativat shqiptare për ndryshim dhe luftes së gjatë të marksistëve e fashistëve europianë në luftën e përmbysjes së establishmentit aktual me qëndër në Brukses, është fakti se të dyja këto rryma politike që dominuan Europën e viteve 60-70-80 ofronin shpjegim krejt të ndryshem të lindjes, krijimit dhe financimit të tyre. Në Greqi operojnë me dhjetra grupime politike të marzhinave të djathta e të majta, mirëpo ekzistenca e tyre lidhet ngushtë me traditën mijëravjecare të të bërit politikë në tokat helenike si dhe me faktin se historia e afërme e Greqisë gjakon nga turbullirat e mëdha qytetare të iniciuara pikërisht nga pararendësit naivë të organizatave aktuale të aksh ideologjie politike. Atje ekstremizmi vjen natyrshëm e i justifkuar nga një prapavijë e pasur historike. Në Shqipëri ndodh krejt ndryshe. Vendi ynë ka njohur periudha të shkurtra histerizmi politik të atillë sa mund të prodhonte ekstremitete të majta e të djathta. Në këtë rast mund të përmendim nja dy tre kryengrite punëtorësh gjatë qeverisjes së Mbretit Zog, luftën guerrile të partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore apo veprimtarinë studentore gjatë zhvillimeve të viteve 90. Ama, edhe këto lëvizje qenë jetëshkurtra dhe të paafta për të lënë pas një farë tharmi politik të vlefshëm në plazmimin e organizatave ekstremiste. Ndaj dhe fushatat antisistemore në Shqipëri janë naïve dhe shpeshherë kundër kohës dhe aspiratave të shoqërisë shqiptare.
Një pikë e cila vë në dyshim veprimtarinë e organizatave të formuara vitet e fundit është krijimi dhe prapavija e tyre politike. Dyshimet mbi këtë skizmë qëndrojnë në faktin e mospraminit kategorik që pë rfaqë suesit e tyre shfaqin kur vjen fjala te përfshirja e tyre në partitë “e vjetra“ të sistemit, të cilët ata duan me patjetër ta dhe t`i rrëzojnë . Duket se këta njerëz kanë komplekse nga vetja e tyre e kjo i bën të pabesueshëm në opinionin publik. Në rastin më të mirë, kritikët do të pyesnin se cili do të ishte ai qytetar që do t`i jepte votën një lideri që ka turp nga e shkuara e tij? Cfarë lideri do të ishte ai që do të refuzonte të tregonte forcën dhe për atë pjesë të jetës për të cilën ai nuk ndihet aq krenar.? Dikush tjetër mund t`i hynte më thellë konspiracionit duke i akuzuar si kolonë të pestë të njërës apo tjetrës parti me qëllim kanalizimin e energjive opozitare sipas kutit të establishmentit. Sidoqofshin dyshimet e tyre, ata kanë të drejtë .
Dyshimet nuk lindin mbi plaftormën politike. As mbi mjetet dhe format që ndiqen për realizimin e saj. Opinioni publik nuk është kaq i mprehtë sa të gjejë origjinën politike të atyre që sheh nga ekrani, nëpërmjet analizimit të veprimeve të tyre. Ajo që shqiptarët dallojnë qysh në momentin e parë te ata që japin mend është sinqeriteti për tabanin e tyre. A e keni vënë re sesa cinikë jemi kur pyesim për familjen dhe prejardhjen e personit qe kemi përballë në tavolinë ? Të njëjtën gjë tregojmë dhe te njerëzit që duan të na mësojnë se si duhet të rrijmë në tavolinë , me kë duhet të rrijmë dhe cfare forme duhet të ketë tavolina.
Këtë sinqeritet, organizatat tona nuk e kanë ,. Ato refuzojnë të pranojnë se dikur kanë qënë pjese e strukturave të Partisë Socialiste. Ato hidhen përpjetë kur ti ju përmend projektin që kanë fituar në Bashki apo në ndonjë shoqatë OJF të lidhur ngushte me Partinë Socialiste. Ata këmbëngulin se janë të majtë , por jo me PS, packa se ata me dhe brenda PS protestonin dhunshëm në demonstratën e 21 janarit.
Do të ishte më e udhës për ta që ta pranonin origjinën e tyre politike. Të pranonin se janë socialistë. Të pranojnë se janë të gatshëm ta shohin Shqipërinë shumë keq nën drejtimin e Partisë Socialiste, sesa në hyqmin e nipërve të atyre që gjoja “shitën“ Atdheun te okupatori. Të pranonin se në 23 qershor votuan Partinë Socialiste. Të pranojnë se ju qan zemra se si Partia e tyre mëmë , nëna e folklorit qesharak të Luftës Nacional Clilrimtare, është nën drejtimin e njerëzve që kanë pak ose aspak lidhje me Marksizmin që lexohet ethshëm në bazat gjysëm ilegale ku ata mblidhen. Nëse i pranojnë të gjitha këto, dalin të larë para shqiptarëve. Tekefundit, shqiptaret janë një popull i majtë dhe nuk do ta kishin të vështirë të votonin njerëzit që evokojnë historitë romantike të partizanëve që këputeshin një nga një nga automatiku i armikut. Po ata nuk e bëjnë këtë sepse ju vjen ndoht nga e shkuara, tradita e në fund fare edhe nga cfarë ata përfaqësojnë . Ky është fataliteti i tyre historik. Janë të destinuar të humbin pse mohojnë nenen që i lindi.

more recommended stories

loading...