Si ta lexojmë emërimin Palmer si i dërguar i DASH për Ballkanin Perëndimor

Mike Pompeo, njeriu i dytë më i fuqishëm në SHBA, ish-drejtor i CIA-s sot Sekretar i Departamentit Amerikan që merret me politikën e jashtme, ka ndryshuar kursin “Obama” në Europë e posaçërisht në Ballkanin Perëndimor. Zhvendosja e vëmendjes amerikane drejt Azisë dhe ulja e interesit për Europën Juglindore u interpretua shpejt nga Moska zyrtare, që projektoi direkt hijen e saj të ndikimit në disa nivele: ushtarake, kibernetike dhe diplomatike.

Ndërkohë, largimi i parakohshëm i diplomatit të talentuar Wess Michell nga zyra e Europës në DASH ishte një boshllëk shumë i madh për politikën e jashtme të SHBA dhe që sekretari Pompeo medoemos do ta mbushte hapësirën me një diplomat karriere si Metju Palmer, njohës shumë i mirë i Ballkanin Perëndimor.

Zgjedhja e Palmer si i dërguar i posaçëm i DASH në Ballkanin Perëndimor vjen si balancë edhe për zgjedhjen e Putinit të ambasadorit rus në Beograd, Bocan Kharchenco, i cili më parë ka qenë ambasador në Bosnje Hercegovinë dhe mbiquhet në Serbi si “specialisti rus” për Kosovën. Ndonëse nuk kuptohet sa qëndron kjo nofkë.

Interesat e SHBA në Europë dhe në rajonin tonë nuk kanë ndryshuar, po ashtu aleancat janë të njëjta, ndonëse sot ka një preference greke, më shumë sesa turke, për t’u lejuar si veprime të pranuara.

Dialogu Kosovë-Serbi, me praninë e z.Palmer si garanci, është edhe ajo që ka kërkuar lidershipi shqiptar në Kosovë, edhe pse shkëmbimi i territoreve mbetet një tezë e papranueshme për Gjermaninë dhe Britanikët. Duke parë edhe faktin që zëvëndësi i Mogherinit në krye të diplomacisë së BE do të jetë spanjolli Borrell, që nuk ka simpati për Kosovën, caktimi i z. Palmer duket i domosdoshëm në skakierë.

Sa për Shqipërinë, z.Palmer e ka thënë të qartë opinionin e tij te VOA: mospërzierje në çështje të brendshme si arbitër dhe se SHBA nuk mbështet Kryeministrin Rama, por Shqipërinë. Z Palmer, si të gjithë diplomatët e tjerë perëndimorë që kanë pasur në dorë dosjen e Shqipërisë gjatë së ashtuquajturës “Reformë në Drejtësi”, nuk pritet të ndryshojnë narrativën në minutat e fundit sepse miliona dollarë janë lëvruar dhe askush nuk do të marrë meritat e një reforme të pakallur.

more recommended stories

loading...