Ne të PD-së po dorëzohemi, po kujt t’i dorëzohemi?


Nga Indrit Vokshi

Parimet europiane, amerikane dhe mund të themi mbarënjerëzore në kuptimin e aspiratave, janë: Mbrojtja e pronës, kapitalizmi, mbrojtja e punës, zgjedhjet e lira, pushteti impersonal e jo personal, liria e shprehjes, gjykata të pavarura nga partitë etj. Shqipëria ka marrë para 27 vitesh vendimin më të rëndësishëm gjeostrategjik; anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky është anëtarësim me leverdi për ne, pasi duke u bërë pjesë e Hapsirës Europiane, shqiptarët mund të punojnë brenda BE jo vetëm tre muaj siç punojnë sot. Avokatët, farmacistët dhe të gjitha profesionet mund të ushtrohen brenda BE, tregtia mund të zhvillohet brenda hapsirës së BE. Rëndësia politike e Shqipërisë rritet, siguria gjithashtu. Këto janë shkurtimisht përfitimet e Shqipërisë së vogën në BE-në e madhe. Në muajin tetor gjykohet mbi Shqipërinë. Gjykohet nëse Shqipërisë do t’i hapet rruga drejt kësaj aspirate dhe këtij rrugëtimi gjeostrategjik shumë me interes për shqiptarët. Kurioziteti është ky: po të na gjykojnë me parimet e sipërpërmendura, po të pyetet a ka në Shqipëri pronë, punë, kapitalizëm, votë, institucione, liri shprehjeje dhe gjykata, cila do të jetë përgjigjja? Ky është edhe diskutimi, përveçse kurioziteti. Kush synon ta shmagë ketë diskutim, kush synon ta largojë fokusin prej këtyre parimeve dhe prioriteteve në mënyrë që të mos gjykohet me këto parime, le të përpiqet por nuk vepron mirë. Gjithsesi shqiptarët duhet ta dinë dhe duhet të binden, se nëse prej 27 vitesh kemi dështuar me aplikimin sa më të plotë të këtyre parimeve, kjo nuk dmth se duhet të dorëzohemi. Sepse lind pyetja, ku do të të dorëzohemi? Kujt do t’i dorëzohemi? Mirë po heqim dorë prej këtyre parimeve, po dëshpërohemi se smundemi dhe nuk e meritojmë atë model qeverisjeje me pronë, votë, gjykata, liri shprehjeje dhe punë e po dorëzohemi krejt, po heqim dorë. Pyetja e natyrshme është; cilat janë ato parime me të cilat do t’i zëvëndësojmë këto parimet të cilat nuk mundëm t’i aplikonim këto 28 vite? Ska kurrëfarë vlere dhe produkti sot të diskutohet kush ka më shumë faj në të shkuarën, ka vlerë të diskutohet vetëm kush janë më të përshtatshmit për të ardhmen. Po u dorëzuam në aplikimin e parimeve të pronës, votës, lirisë së shprehjes, gjykatave të pavarura nga partitë dhe modelit kushtetues të shtetit, pa dyshim, parimet e tjera që na mbeten për të jetuar me to janë; grabitja e pronës, vjedhja e votës, censurimi i shprehjes, shteti gjigand socialist korporativ dhe kujdestar, gjykatat partiake etj, sepse nuk ka alternativë tjetër. Këto parime i kemi testuar prej 28 vitesh dhe rezultati i tyre është gjendja ku ne ndodhemi sot. Parimet e tjera i kanë testuar vendet e BE dhe rezultati i tyre është gjendja ku ata ndodhen sot. Ndaj smund të dorëzohemi sepse nuk kemi kujt t’i dorëzohemi. Diktaturën dhe totalitarizmin, kolektivizmin dhe autokracinë, socializmin dhe demegogjinë ne i kemi provuar aq sa jemi velur prej tyre. Ndaj nuk duhet të kemi asnjë kuriozitet për to dhe rezultatin e tyre. Si përfundim kush pengon aplikimin e parimeve që na anëtarësojnë në BE, duhet të largohet, nuk duhet të qeverisë Shqipërinë.