Ingrid Bergman| Ji vetvetja. Njerëzit adhurojnë autentikun

Ingrid Bergman. Një nga aktoret më të njohura në kinemanë botërore. Një suedeze brune, tokësore, e mrekullueshme, misterioze dhe e parezistueshme, e cila edhe pse fitoi mbretërinë e saj në Hollywood, preferoi ta humbte për hir të dashurisë së saj. Aktorja simpatike u lind në 29 Gusht 1915 në Stokholm dhe mbeti jetime nga një moshë shumë e re. Studioi në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në Stokholm dhe deri më 1938 mori pjesë në njëmbëdhjetë filma, ku shkëlqeu. Adhurohet nga publiku por edhe nga kritikët që shkruan për bukurinë dhe talentin e saj të veçantë. Shumë herë madje e krahasojnë me Greta Garbo. Kinemaja suedeze shpreson që aktorja e madhe, Ingrid Bergman, do të qëndrojë përgjithmonë pranë saj dhe nuk do ta braktisë ashtu si bëri Greta. Me ftesë të producentit dhe manjatit David O’Selznik, Ingrid Bergman, tashmë e martuar, arrin në Hollywood, i cili u parajsa në tokë, por edhe ferri i saj. Në Amerikë, prezantohet me publikun kinematografik me një rol të bukur romantik në filmin “Intermezzo”, një përshtatje e filmit suedez ku luan vetë. I jepen role të një gruaje të ëmbël dhe të lezetshme, si në filmat: ” Swedenhielms “, “Rage in the Heaven”. Por ajo nuk dëshironte të standardizohej. Hollywood prodhon qindra filma dhe thashetheme për artistë të famshëm. Bergman në atë kohë ishte një nga aktorët e paktë që nuk dha të drejtën më të vogël për t’u komentuar. Jeta e saj është shembullore përkrah burrit të saj dentist dhe vajzës së tyre Pia. Në vitin 1942, xhiron një nga filmat më legjendarë të të gjitha kohërave. “Casablanca”, një moment i rëndësishëm në historinë e kinematografisë botërore. Në krah të saj është i madhi Humphrey Bogart. Vështirë të mos njohë dikush këtë film romantik legjendar, bardh e zi, për Luftën e Dytë Botërore, me regji të Michael Curtis. Filmi bazohet në veprën teatrale të Murray Barnett dhe Joanne Alison “Everybody Come to Rick`s”. Të drejtat e tij u siguruan nga mega-producenti i Hollywood-it Hal Wallis për 20,000 dollarë. Kjo shumë ishte gjigande për një vepër teatrore të pa vënë në skenë në atë kohë. Skenaristët e filmit, vëllezërit Eurance dhe Howard Koch, transferojnë aksionin e veprës nga Vjena në Kazablankën kozmopolitane. Nga aty, merr emrin e tij filmi. Historia është si më poshtë … Eshtë fillimi i viteve 40-të, Casablanca (qytet bregdetar i Marokut) gjendet nën kontrollin e regjimit francez Vichy, i cili nga ana e tij ishte nën ndikimin e Boshtit. Rick (Hammrey Bogart), i cili zotëron një klub nate të njohur, takohet sërish me dashurinë e tij të vjetër. Por e dashura e tij Ilsa, (Ingrid Bergman), shoqërohet nga bashkëshorti i saj, i cili është udhëheqës i rezistencës çeke dhe kërkohet nga nazistët. Çifti dëshiron me ngulm të largohet nga vendi dhe Rick është personi i duhur për t’i ndihmuar. Janë disa batuta në “Casablanca” që kanë lënë epokë … Si kur Ingrid Bergman i thotë Bogie: “Kjo ishte e shtënë topi apo zemra ime që rreh?” “Mos harro, një puthje mbetet një puthje. Një psherëtimë është vetëm një psherëtimë. Vlejnë gjërat themelore ndërsa koha kalon … ”. Eshtë fraza e Ilsa drejtuar pianistit Sam. Ajo frazë që shumica e njerëzve e mbajnë mend si “Play it, Sam. Play as time goes by.…”. Ose skena e fundit në aeroport. Kur Rick bind Ilsa të hipë në aeroplan, duke i thënë një nga frazat më të famshme në film, “Ne do të kemi gjithmonë Parisin …” Heroina legjendare që mishëroi, Ilsa, do ta ketë gjithmonë Parisin. Ne, do të kemi gjithmonë atë që jetuam dhe është e jona. Edhe nëse mbaron, jona do të jetë përsëri … Pak më vonë, luan në filmat në vijim, … “Për Kë Bie Kambana”, “Gaslight”, të George Cukor, “Këmbanat e Virgjëreshës Mari”, “Saratoga”. Në vitin 1945 mori një Oscar për rolin e saj në “Gaslight”. Bëhet aktore e Alfred Hitchcock dhe zë një vend të spikatur në botën e kinematografisë dhe artit teatral. Dhe kush nuk i njeh filmat: “Notorious”, “Netë Makthi”, “Under Capricorn”. Gjithashtu fiton çmimin Tony në vitin 1947 për performancën më të mirë për interpretimin në një vepër teatrale, në ndarjen e parë të çmimeve Toni. Jeta e saj rrjedh pa probleme deri në momentin kur pa filmat “Roma, Citta Aperta” dhe “Paisa”. Atëherë, vendos t’i shkruajë një letër, fatale siç doli , regjisorit Roberto Rossellini. “I dashur Z. Rossellini. Kam shikuar filmat e tu “Roma, Citta Aperta” dhe “Paisa” dhe më pëlqyen shumë. Nëse keni nevojë për një aktore suedeze që flet shumë mirë anglisht, e cila nuk e ka harruar gjermanishten, që nuk e kuptojnë kur flet frëngjisht dhe që di vetëm “ti amo” nga italishtja, jam gati të vij dhe të punoj me ju”. Bergman. Pas kësaj letre, aktorja e madhe jo vetëm që bashkëpunon me Roberto Rossellini në gjashtë filma gjithsej, por gjithashtu bëhet edhe dashnorja e tij, pa u ndarë nga burri i saj. Pati me të një djalë dhe vajza binjake. Modelen dhe aktoren Isabella Rossellini dhe Izota pasi u martua me regjisorin. Amerikanët, të ndikuar nga makarthizmi, e kritikojnë ashpër duke e nxjerrë nga zemrat e tyre. Si përfundim … nga një grua-model, bëhet grua-skandal. Por Ingrid Bergman ishte e vendosur të ndiqte dashurinë e saj. Me Roberto Rossellini jeton pesë vite. Pas ndarjes së tyre, interpreton “Anastasia” të Anatolia Litvak, një film që i dhuron Oskarin e dytë të karrierës së saj. Aty luan vajzën e humbur të Romanovit. Bergman e kujtojmë gjithashtu nga komedia elegante, “Indicreet”, përkrah Cary Grand në vitet 50-të, “Gjembi”, “Mirupafshim Përgjithmonë” dhe “Yellow Rolls-Royce”. Pason filmi “Murder on the Orient Express (1974)”, i cili kësaj radhe i dha Oskarin e tretë për një rol të dytë. Atëherë u martua me bisnesmenin teatral suedez Lars Smith. Rolin e saj më të mirë në kinematografi, megjithatë, e luan në filmin e bashkatdhetarit të saj, Ingmar Bergman. Ky është filmi i mrekullueshëm “Sonatë Vjeshte”. Aktorja e arrirë tashmë e Artit të Shtatë boton në vitin 1980-të autobiografinë e saj që bëhet bestseller. Dy vite më vonë largohet nga jeta në ditën e ditëlindjes së 67-të të saj, në Londër, në 29 Gusht 1982 … Diva e Artit të Shtatë shkroi historinë e saj në kinematografi me talentin, hirin dhe inteligjencën e saj. I përket atyre artistëve të mëdhenj të shekullit të 20-të që hapën dritaret në jetët e dhjetëra miliona grave. Dritare që mbeten të hapura për ata që nuk i kanë sytë hermetikisht të mbyllur. Për ata që kanë sy që vazhdojnë ende të shohin dhe ëndërrojnë”…. a kiss is still a kiss in Casablanca…”.

Ngjarje nga Historia Botërore.