Ligji dhe Astiri!


Nga Indrit Vokshi

I keni dëgjuar shpesh politikanët demagogë të flasin për zbatim të ligjit. Kur kryejnë një akt me shtet kundër ndonjë individi, deklarojnë se po zbatojmë ligjin, se ligji duhet zbatuar dhe nuk duhet kundërshtuar. Mirëpo çfarë quhet ligj? A e ka diskutuar kush se çfarë dmth ligj? Çfarë kuptimi ka fjala ligj dhe çfarë kushtesh duhen plotësuar që një normë sjelljeje e cila të ndalon ty si individ të bësh diçka apo të detyron të bësh diçka të mund të konsiderohet ligj? Norma ka nevojë dhe domosdoshmëri që të plotësohet një kusht kryesor, “sine qua non”, pra kusht pa të cilin norma nuk mund të quhet ligj. Ky kusht është barazia në zbatim. Akti i cili quhet ligj, konsiderohet akt normativ. Akti normativ u drejtohet të gjitha subjekteve, pa adrese, pa fytyra, pa emra, pa i njohur kush janë, pa bërë dallime, thjesht u drejtohet njëlloj të gjithë njerëzve të cilët jetojnë në territorin e shtetit. Akti i ka sytë e lidhur, si gruaja tek peshorja e drejtësisë. Pra akti nuk sheh. Në momentin kur dikush ia zgidh sytë aktit që quhet ligj dhe, akti sheh mikun e kryeministrit, kushëririn e ministrit, bashkëpunëtorin e deputetit etj. akti pushon së qeni ligj, sepse ska më barazinë në zbatim, elementin kryesor-thelbsor të vetin. Është si lojë fëmijësh ku sduhet t’i hapësh sytë, se nëse i hap, digjet loja. Kur ligji i hap sytë dhe sheh dhe bën dallime, ai kthehet në instrument i kryeministrit, ministrit e deputetit, instrument i cili përdoret për të pasuruar dhe favorizuar në garë, miqt, kushërinjt, bashkëpunëtorët. Pra thjesht përdoret për të forcuar pushtetin ekonomik dhe politik të grupimit në pushtet i cili kontrollon institucionet që e miratojnë ligjin, pra kontrollojnë parlamentin. Përshembull, ligji për shembjen e shtëpive tek Astiri nuk është ligj sepse dikujt ia dëmshpërblen pronën, dikujt jo. Është pronë e palegalizuar? Kushtetuta sanksionon se prona publike dhe private mbrohen njëlloj. Nuk shkruhet në kushtetutë se kur prona është e palegalizuar ajo mund të shkatërrohet, përderisa shteti shqiptar e ka njohur legalizimin si institut. Në momentin kur merr emrin pronë, mbiemri ska rëndësi, pasuria e individit nuk mund të shembet e të shkatërrohet sepse më themel duhet të jetë respektimi i mundit. Mjafton që të mos jetë ndërtuar në tokë të zaptuar sepse ketë e dënon Kodi Penal pasi quhet shkelje e mundit të dikujr tjetër. Po i patën në tokën e tyre, duhet tu llogariten si prona dhe u duhen dëmshpërblyer njëlloj nëse i shkatërrohen. Në ketë rast, shteti shqiptar me agjent të tijin kryeministrin, nxjerrin një akt të quajtur ligj i cili në të vërtet nuk është ligj dhe e përdorin si instrument për të fituar miliona euro nga njana anë dhe për tu shkatërruar pronat njerëzve nga ana tjetër. Sduan tu japin miliona euro dëmshpërblim për pronën ngaqë ato miliona për pronat e Astirit duan t’i qarkullojnë për vete në tendera dhe konçesione që eurot të mos shkojnë tek pronarët që u shkatërrohet prona por të shkojnë tek miku i kryeministrit, kushëriri i ministrit, bashkëpunëtori i deputetit. Këtu ligji shfaqet jo si ligj, vetëm emrin ka ligj sepse në të vërtet është instrument sundimi dhe pasurimi i cili u garanton miqve, kushërinjve dhe bashkëpunëtorëve qeveritarë miliona euro fitim, euro që nëse ligji do ishte ligj dhe jo instrument, do duhej tu shkonin banorëve të Astirit, jo bashkëpunëtorëve të sundimtarëve që kontrollojnë institucionin ku shkruhen ligjet. Kjo është një luftë për euro midis banorëve që duan të mbrojnë eurot e investuara për të ndërtuar pronat private dhe kryeministrit i cili synon të kursejë miliona euro që duhet tu dëmshpërblejë shkatërrimin e pronës, sepse i duhen për tua dhënë vetes, miqve dhe bashkëpunëtorëve.