Si dështuan Rama-Thaçi-Vuçiç me Kosovën?


Nga Indrit Vokshi

Pas 11 vitesh Pavarësi të Kosovës erdhi një ditë kur presidenti i Shqipërisë nuk flet me presidentin e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës nuk flet me kryeministrin e Shqipërisë. E pabesueshme por ndodhi. Shqiptarët u përçanë politikisht dhe konflikti u shfaq edhe në publik kur në fakt faktori shqiptar duhet të kishte unitet mbi Kosovën. Kush i përçau? Qëndrimi i Meta-Haradinaj-Berisha-Basha është qëndrimi i shqiptarëve prej 25 vitesh “Një komb – Një qëndrim”, Kosova e paprekshme në kufinjt e saj. Ky është edhe rendi politik e diplomatik i investuar në Ballkan. Ata të cilët kanë lëvizur prej qëndrimit historik të shqiptarëve dhe kanë shkuar tek qëndrimi historik i serbëve, janë Rama dhe Thaçi. Pra mund ta themi pa ekzagjerim se Aleksandër Vuçiç ka arritur një sukses të vogël diplomatik në planin rajonal, sepse ia ka arritur ta përçajë faktorin politik shqiptar, duke ia arritur të ulë Thaçin dhe Ramën në tavolinën e tij dhe duke mundësuar që këta të përkrahin projektin e Beogradit për Kosovën. Ndërsa në planin ndërkombëtar, përkundrazi, Vuçiç dhe diplomacia serbe kanë dështuar. Çështjet e kufinjve nuk janë çështje dypalëshe. Prej vitit 1813 dhe Kongresit të Parë të Vjenës kur mund ta themi me pak guxim si nis Koncerti Europian i Fuqive, temat me rëndësi janë diskutuar në tavolinën e Fuqive. Kemi disa fuqi, siç ishin “Shtatë Krajlitë” në vitet 1800 janë po shtatë fuqi “G7” sot të cilat kanë pushtet për temat e rëndësishme dhe kanë kopsitur një rend ndërkombëtar dhe disa principe, sigurisht, bazuar tek interesat e fuqive dhe nënfuqive. Në ketë pikë diplomacia serbe nuk pati potencial për ta futur seriozisht në diskutime një zgjidhje dypalëshe e cila bën përjashtim nga rendi i vendosur prej Fuqive. Ai mori prej Sekretarit të Shtetit MIke Pompeo një përgjigjje kornizë e cila fliste për normalizim mardhëniesh dhe njohje të ndërsjellt. Eshtë e njejta përgjigjje kornizë që SHBA-BE kanë dhënë prej 20 vitesh mbi Kosovën. Vuçiç pranoi kapitulimin duke u pikëlluar pse ska aq shumë njerëz që mund ta mirëkuptojnë. Ndërsa Rama rinisi propagandën e tij qaramane, viktimizuese, krahasuese me të tjerë por jashtë kontekstit për t’i bindur shqiptarët se ai nuk kishte asnjë qëllim të keq, ai nuk është anti-shqiptar e as tradhëtar. Ne nuk e dimë a është Edi Rama anti-shqiptar por që Edi Rama është pro-serb ketë e dimë me siguri sepse ka përkrahur planet e rrezikshme të Serbisë në Ballkan.