Vettingu i një apartamenti

Në qytetin e Sofias pranë një godine të re me apartamente luksoze, gjendet e shkruar në fasadën e saj në alfabetin Glagolitic (shkrim eklesial mesjetar) një nga vargjet e Psalmeve “Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.”

Vëzhguesi i rastësishëm do të zbulonte ditët e fundit se në atë godinë banon edhe Tsvetan Tsvetanov, njeriu numër dy i partisë qeverisëse në Bullgari, dhe pronar i një apartamenti Papafingo (Penthouse). Sipas një investigimi rezultonte se Tsvetanov këtë banesë e kishte blerë për rreth 250 mijë euro, ndërkohë që vlera e deklaruar është sa çereku i vlerës së këtij apartamenti në treg. Pas këtij investigimi, zyrtar të tjerë (përfshirë edhe shefin e anti-korrupsionit) janë zbuluar se kanë mashtruar me deklarimet e tyre.

Ky skandal që ka plasur së fundmi në Bullgari dhe që ka prekur elitën politike atje ka nxjerrë njerëzit në shesh. Sipas të gjithë analistëve (bullgarë dhe të huaj), ky miniskandal është shumë i vogël në përmasat e abuzimit. Por, bullgarët kanë dalë në shesh duke kërkuar drejtësi.

Rreth 530 km larg Sofias, kryeministri i një vendi të vogël ka deklaruar se nuk zotëron asgjë në bankë deri në vitin 2015. Ku befas ai gdhihet me një vilë tejet luksoze që sipas vetë atij ka një vlerë 400 mln lekë (12.8 herë më e madhe se sa apartamenti luksoz i deklaruar nga Tsvetanov).

Në vazhdën e vettingut në gjyqësor, që po pret koka në drejtësi si të jetë një vegël qorre apo një algoritëm në funksion të kryeministrit Rama, askush nuk ka kërkuar një investigim. Qoftë ky i fundit edhe produkt apo rrjedhojë e një hetimi gazetaresk të pavarur nga notat politike.

Pa folur më pas për vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët të etur për famë dhe njohje janë të gatshëm të shoqërojnë të rinj në rajon, mistifikojnë prezencën e tyre apo dhe të investojnë në miqësi personale (për përfitime të atilla) pranë pushtetit. Por jo të hetojnë apo flasin për atë që u intereson shqiptarëve, pra standarte europiane.

Por siç edhe realiteti e dëshmon, procesi i vettingut në drejtësi mbete thellësisht nje proces partiak me nje fasadë te qarte ndërkombëtare. E për të qenë të qartë Psalmi 91 duhet të shkruhej kësisoj në vilën e surrelit “ Kush banon nën mbrojtjen e të Gjatit, do të qëndrojë nën hijen e Vettingkasapit”