Nuk pushim për konçesionet| Qeveria Rama bën gati 3 PPP në gusht për biznesmenë të njohur

Gjatë muajit gusht institucionet kanë shpallur 3 njoftime për koncesione. Dy kanë të bëjnë me infrastrukturën e transportit detar, ndërsa koncesioni i tretë PPP është rishpallje e projektit të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e katër objekteve arsimore në Tiranë.

Porti i Limionit në Sarandë, aktualisht nën administrimin e Portit Detar të Sarandës, është njëri prej projekteve që synon të kthehet në Marina Limion, ku do të ankorohen dhe furnizohen jahte e anije, të operuar për 35 vjet nga koncesionari privat.

Një port jahtesh synohet të ngrihet me PPP edhe në Gjirin e Rodonit, si një zonë strategjike me thellësi të favorshme për mjetet lundruese, midis porteve të Durrësit e të Shëngjinit, si dhe pranë Gjirit të Lalëzit. Edhe në këtë rast kontrata koncesionare parashikohet për 35 vjet, kohë gjatë së cilës shtetit do të përfitojë një tarifë koncesionare në bazë të ofertës që do të paraqisë fituesit i tenderit.

Gjatë viteve të fundit, me bumin e turizmit ka pasur edhe një interes të madh edhe nga jahtet për të vizituar bregdetin shqiptar. Por, për shkak mungesës së infrastrukturës, shpesh këto mjete lundruese preferojnë të ankorohen në Korfuz ose në Malin e Zi.