Ministres Gjonaj iu ngrit kurthi brenda Partisë Socialiste! Ja si e fundosën…

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dalë sot me një postim në rrjetet sociale për të sqaruar akuzat që i janë bërë për shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit. Përmes një postimi, zonja Gjonaj nuk mohon faturat e publikuara në mediat e ndryshme online, por bën një interpretim të vetin, ndërkohë që ka bërë të ditur se ka nisur një proces verifikimi për të gjithë prokurimet e kryera për udhëtimet përkatëse. Thotë ndër të tjera ministrja Gjonaj:

Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse.

Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës.

Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj. Askush nuk e publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç është dhe jo siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta bënte këtë “transparencë” do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera.

Nëse media do të verifikonte procedurat dhe dokumentacionin, do të konstatonte lehtësisht që procedurat për shërbimet e udhëtimit në bazë të VKM Nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratim të rregullave për prokurimin publik”, të ndryshuar, prokurohen publikisht nëpërmjet sistemit të elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Media dhe kushdo, e kupton mjaft mirë që në asnjë rast nuk është një proces me të cilin ministri merret personalisht pasi është detyrë e stafit administrativ apo institucioneve përgjegjëse. Gjithsesi kjo nuk më largon mua nga përgjegjësia për të verifikuar zbatimin e ligjshmërisë prej tyre në procedurat e prokurimit dhe mirëadministrimit të burimeve financiare në tërësi.

Duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë që krijoi në publik ky lajm kam nisur një proces verifikimi dhe auditimi të brendshëm për të gjitha procedurat e kryera nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë nga i cili rezultoi se çdo procedurë është në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi

Nga gjithë kjo mbrojtje ministrja lë dy pika pa sqaruar: së pari pse duhet që të prenotohen hotele me 540 euro nata dhe së dyti, kush janë anëtarët e delegacionit në udhëtimet për të cilat akuzohet. Kjo do t’i shërbente më mirë transparencës që ajo pretendon se po bën ndaj opinionit publik.
Por në këtë situatë që zgjati dy ditë lajm është tjetër gjë ajo që bie në sy dhe në fakt duhet sjellë në vëmendje. Kjo është teknika e mbrojtjes mediatike që “zgjodhi” ministrja e Drejtësisë.

Siç dihet nga shumëkush që punon në media, “politika mediatike” e qeverisë koordinohet nga Endri Fuga, I ashtuquajturi Drejtor Komunikimi në Kryeministri që organizon edhe takime të përjavshme me këshilltarët e ministrave të cilëve u kërkon aktivizim, taktika diversioni me media të ndryshme, hapje portalesh dhe mbi të gjitha qarkullim të teksteve që miratohen prej tij.

Është teknikë apo model pune e ekipit të Rilindjes që përpara se të përballet me akuzat e ndryshme të sulmojë si fillim median që artikulohet.
Gazetari Etike, është term që përdorej shpesh nga çeta e mjaftistëve që në opozitë. Edhe në rastin e ministres Gjonaj u ndoq kjo metodë. Në fillim mbrojtja nuk u bë nga institucioni përkatës dhe zyra e shtypit, por nga mediat pranë qeverisë.

Thelbi i mbrojtjes ishte në: vërtet që lajmi ishte aty, por reporteri nuk e kishte bërë punën si duhet. Përpara se të dyshohej te pusheti që fle me fatura 700 euro/nata u kalua në sulmin ndaj “gazetarisë së keqe”, mungesës së profesionalizmit dhe diletantizmit në interpretimin e faturave. Ky “mendim” u qarkullua si zakonisht në rrjetin mediatik që jeton me këtë lloj opinionbërjeje për të mundësuar një dalje më të lehtë për ministren e cila sot thjesht ka përsëritur të njëjtat teza që u artikuluan në media një natë më parë.

Ministrja në fjalë që paska udhëtuar me tren, e që me këtë zbulim në sugjeron itinerare romantike brenda orarit të punës, do të ishte mirë që të zbardhte edhe urdhërin përkatës për auditin e kryer në mënyrë që të fliste me Akte zyrtare jo me fjalë opinionesh.
Në fund, përtej “goditjes mediatike” që iu dha, zonja Gjonaj ndoshta është më e shqetësuar nga origjina e goditjes dhe nga zhurma në partinë e saj ku shikimet shtrembër dhe gjestet diktojnë vendimet përpara se ato të zyrtarizohen para asamblistëve që ngrenë e ulin dorën.