Etilda Gjonaj, ministrja që bën jetë luksoze me paret e shqiptarëve

Etilda Gjoni deklaroi sot se ajo ka shpenzuar dy netë në Romë e jo një siç pretendohet. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë sërisht fatura do të ishte abuzive.
Por fatkeqësisht faturat, të cilat ajo i konfirmon si të vërteta dhe autentike, tregojnë si në shqip e si në italisht se ajo ka qëndruar vetëm një natë dhe për atë natë ka paguar 706 euro, ose sa asistenca për 1 vit e gjysëm e një familjeje në nevojë.
Kjo vetëm për Romën, sepse Londra, Parisi e Brukseli janë po aq skandaloze.
Këto janë faktet.
Dëmi që po bën Etilda është i trefishtë.
Së pari po dëmton imazhin e institucionit që lufton korrupsionin dhe ndjek reformën në drejtësi. Nëse Ministrja gënjen për çështje kaq banale, si mund ta besojmë për ato thellësisht serioze?!
Së dyti po dëmton imazhin e politikanëve të rinj duke krijuar, jo e vetme sigurisht sepse këtu dëmin e ka bërë €rion Veliaj, përshtypjen se janë më të babëzitur se ata që gradualisht po ikin.
Së treti, e më e rëndësishmja, nuk ka shqiptar sot të paqartë me faktin se Rama, Berisha, Meta e soji i tyre janë të korruptuar në palcë dhe kanë marrë ç’kanë mundur nga pasuria e vendit. Nëse ka ndonjë tek-tuk ose është i marrë ose bashkëfajtor. Fatkeqësisht, këta dhe krijesat e tyre, vazhdojnë të jenë në krye dhe të bëjnë dëm falë një sistemi të mbrapshtë që kanë ndërtuar e duhet rrënuar.
Por ka shumë shqiptarë që duan të shpresojnë se një brez i ri do të sjellë ndryshimin, do e rrëzojë sistemin, do ta administrojë vendin me dashuri, do mirë menaxhojë burimet natyrore, financiare e ato njerëzore dhe do e kthejë Shqipërinë në një vend të jetueshëm.
E kur shohin se të rinjtë e politikës e kanë mendjen të grabisin lekët e dietave apo hoteleve, me të drejtë duan thjesht të ikin. Sepse e kuptojnë që e keqja nuk paska fund.

E humbe rininë Etilda, nga sot je po aq e plakur sa Rama. Pleqëri të mbarë!

Foto: Montazh.