Sampistët e fjalës së lirë!

Gjendja e medias së lirë në Shqipëri gjithnjë e më shumë është e varur nga qeveria dhe trollet e saj,që kontrollojnë thuajse gjithçka që qarkullon në mekanizmat pushtetin e katërt. Shumë nga shqiptarët që jetojnë brenda Shqipërisë e kanë të qartë realitetin mbi kontrollin (thuajse) absolut ndaj mediave dhe pjesës më të madhe të gazetarëve. Ndonëse raportet ndërkombëtare, si fjala vjen “Freedom of Speech” raportojnë ndryshime shumë të vogla, kjo nuk duhet të na krijojë një panoramë tjetër. Këto ndryshime minimale në raportet ndërkombëtare vijnë jo aq nga pasqyrimi me vërtetësi i realitetit, por më shumë nga përshtatja që i bëjnë këtij realiteti me nuanca lehtësuese personat që punojnë për këto raporte ndërkombëtare.

Nuk është e habitshme për askënd (aq më pak një teori konspiracioni), fakti që shumë OJF të njohura për lidhjet e tyre me qeverinë Rama dhe tarafin e tij drejtues, të “lehtësojnë” dorën për abuzimet dhe klimën gati kriminale që pushteti ka karshi mediave. Praktikisht, ajo çfarë sot është e fshehur nën perdet e OJF-ve fitimprurëse apo të gazetarëve me nuanca (prapashtesa) ndërkombëtare që mbulojnë Shqipërinë, nuk është vetëm se një tjetër platformë dezinformimi për sytë e të huajve.

Në numrin e fundit të The Economist një shkrim i gjatë i ishte dedikuar “Lirisë së fjalës” dhe sulmeve ndaj së saj në botë. Këto dy shtylla qëndrore, shkrimi i ndante në 4 kategori kyçe. Duke theksuar së pari kriminalizimin e shpifjes. Së dyti evidentohej sulmi fizik dhe jo vetëm nga kampuset universitare liberale të majta kundrejt fjalës së lirë dhe asaj çfarë liberalët konsiderojnë “tabu”. Së treti, bllokimi i internetit dhe ndërhyrja në mbylljen e Facebook. Së katërti, “doxing” i gazetarëve apo dhe sulmi fizik ndaj tyre. “Doxing” në anglisht nënkupton nxjerrjen e fotove personale të gazetarëve që shkruajnë kundër sistemit dhe kryqëzimin e tyre në sytë e publikut për shkak të shkrimeve anti qeveri.

Ne jemi të vetëdijshëm që Edi Rama jo vetëm ka zbatuar të katër pikat, por ka shkuar edhe më tej. Mediat që sponsorizohen prej tij nga thesi i madh i buxhetit të koncesioneve ose PPP-ve kanë nisur të shndërrohen në “gjuhën” zyrtare të qeverisë dhe jo vetëm Gëbelsat e vegjël të qeverisë, që drejtojnë këto media, gëzojnë frutet e pushtetit duke i kthyer mediat e tyre në stacione propagande të bezdisshme.
Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për logjikën autoritariste apo politikat alla Berlusconi të Mediaset, jo! Qasja e mediave pro-qeverisë është përpjekja finale për shndërrimin e shqiptarëve në popullin që i duhet qeverisë. Mediat e Rilindjes nuk angazhohen vetëm për të qenë të bezdisshme deri në marrëzi me kronikat pa sens që shfaqin. Ato dalëngadalë shndërrohen në institutin ideologjik dhe mendje-transformuese të qeverisë. Shembujt janë pafund, nga portretizimi i qeverisë si shpëtimtare, tek etiketimi i opozitës dhe mendimit opozitar si kriminal, anti-amerikan, anti-europian dhe promovues i të shkuarës së keqe që iu dha shqelmi në 2013.

Media (dhe jo vetëm ajo e konsideruar si tradicionale) po zvenitet gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Shumë prej themeleve mbi të cilat ajo ngrihet dhe funksionin janë zhdukur thuajse tërësisht nga ekrani dhe letra. Investigimet mediatike janë konvertuar në emisione gjoja investiguese, që në fakt janë institucione gjobvënëse. Kronikat mediatike apo editorialet janë kthyer në gjoba televizve drejtuar kompanive që kanë ulur buxhetin e publicitetit për këto media. Reportazhi tashmë mund të konsiderohet një zhanër i harruar, ndërsa Dossier-i është kthyer në një kronikë herë e kuqe dhe herë e zezë për Bllokun e dikurshëm. Asgjë përtej ndonjë opinioni nuk ngjyros monokromin mediatik që shkretëtira Shqiptare ofron.

Facebook si dhe faqet online duket se janë një oaz shpëtimi të mbushur me horroret e klikimeve. Por me gjasë problemi do të jetë një tjetër. Shumë prej postimeve në fjalë (kryesisht antiqeveritare) do të jenë pre e një projektligji kriminal (që mos u habisni nëse merr bekimin e Luigj Sorekës). Fakt mbetet që ato pak faqe që shpërndajnë video kundër qeverisë në Facebook përfundojnë të bllokuara. Shkrimi i gjatë i Johaness Estradës në lidhje me kompaninë Acromax është një shembull. Viktimë e kësaj kompanie ka qenë edhe shkruesi i këtyre rreshtave,shpeshherë i akuzuar si promovues i “hate speech” në videot ku evidentohej Erion Veliaj dhe mendimet e tij të ndryshme në lidhje me ndërtimet në Tiranë.

Për disa mund të tingëllojë e habitshme që qeveria shqiptare,që së fundmi është zbuluar se ka blerë vota në Dibër aq sa të shkaktojë një “tërmet” elektoral,të ketë nevojë për këto vegla shtesë. Por në të njëjtin kontekst, nuk duhet harruar se ndryshimi midis Edi Ramës dhe autokratëve të tjerë është se ai nuk dëshiron të jetë autokrat. Rama dëshmon edhe me këto tentativa kriminale karshi lirisë së fjalës se dëshiron të jetë “komanduesi” i mendjes dhe shpirtrave të njerëzve. Autokratët, përgjithësisht janë drejtues politikë që duan të kenë në kontroll gjithçka,por nuk yshten për të kontrolluar jetën e çdo individi. Arsyeja përse Acromax ndërhyn në jetën publike duke shkelur edhe parimin e Facebook (që është një forum publik) është padyshim rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e manisë për të tjetërsuar mendimin e njerëzve. Dhe jo vetëm për të mbytur të vërtetën.

Për të realizuar këtë të fundit, Rama dhe Veliaj, kanë disa vite që injektojnë vazhdimisht në mediat sociale jo vetëm propagandues të rremë por gjithashtu edhe doza të forta videosh të sponsorizuara. Të cilat askush nuk mund të thotë që nuk kanë qenë të dobishme për skemën me të cilën ato përpiqen të kontrollojnë fijet e një pushteti që zgjerohet, inkriminohet dhe vazhdon të shtypë lirinë e fjalës.

more recommended stories

loading...