Po vrasësve të Indritit do ja prishësh shtëpinë o Shtet?

Nga Vëlla Shkumbini
Indriti nuk ishte turist, nuk ishte as spanjoll, as nuk pati mundësi ta filmonte agresionin fatal që ju bë.
Tragjikisht, historia e tij do harrohet shumë shpejt, ashtu si do harrohet historia e Ergysit dhe Orjanit që humbën jetën nga skelat që nuk mbajtën dot peshën e vet dhe historia e Arditit që ende nuk dihet se si e humbi jetën në fushën e plehrave.
Janë qindra mijëra Endrit, Ergys, Orjan dhe Ardit, që çdo ditë luftojnë me formalitetin dhe informalitetin e tregut të punës. Japin shërbime dhe rrezikojnë jetën, ndonjëherë i marrin lekët dhe ndonjëherë marrin veç të shara dhe rrahje.
Sa herë na ndodh të dëgjojmë lloj – lloje historish nga punonjësit që marrim në shtëpi për rregullime, nga bojaxhinj, elektriçistë, hidraulikë, muratorë e shumë ustallarë të tjerë.
Na vjen keq aty për aty, po pastaj harrojmë, se fundja dhe ne të tjerët, kemi hallet tona, sepse edhe ne rrezikojmë. Rrezikon mësuesi nga disa prindër rrugaçë dhe adoleshentë agresivë, rrezikon nëpunësi nga disa shefa arrogantë dhe qytetarë të revoltuar, rrezikon infermieri dhe mjeku nga disa familjarë pacientësh debila të përhumbur dhe nga reagentë toksikë, rrezikon tregtari nga falimenti dhe gjobat, rrezikon shoferi i taksisë nga stresi trafikut dhe grabitësit e armatosur, rrezikon kështu me radhe punëtori e fabrikave, fasoneve, call center – ave, rrezikon çdokush që puno ndershmërisht për një copë bukë, mesatarja 400 Euro në muaj.
Të gjithë këta janë heronj të punës, por kurrë nuk do marrin një tufë lule nga ministri i turizmit, sepse nuk janë turistë e ministrit nuk i duhen, ata nuk do marrin një medalje nga presidenti, sepse nuk janë janullatosa dhe presidentit s’i hyjnë në punë, ata nuk do përmenden as nga kryeministri sepse në shumë raste populli i Facebook – ut nuk do t’i shohë me sy, e kështu pse ta hapim këtë temë. Në fund të fundit kush punon gabon, e kush gabon ha dhe fjalët e këqija, e madje dhe inatin e njerëzve.
Por këta punëtorë nuk na e kanë borxh jetën. Askush nga ne nuk mund të marrë jetën e askujt, e jo më të dikujt që e ke thërritur në shtëpi për të rregulluar kondicionerin.
A e meriton një kontroll të detajuar ajo pronë ku u krye vrasja sot?
Pse jo! Kur u prish lokali i Mihalit se turistët spanjollë nuk donin të paguanin disa hala peshk, pse të mos prishet dhe shtëpia e dikujt që vret një punëtor shqiptar, kuptohet nëse shtëpia është pa leje dhe në pronë publike si rasti i Mihalit.
Nëse populli do prishje dhe fadroma, të fillojmë me ata që e shumëzojnë me zero jetën e një punëtori shqiptar.