Lulëzim Basha është thjesht kremastari ku ti var dobësinë tënde !

Elona Caslli
Mundohesh gjithmonë të thurësh një alibi dhe ta përligjësh mungesën tënde në protestë. Alibisë i vë një emër. Dhe kësaj here qëlloi që alibia ta ketë emrin Lulëzim Basha. Emri është krejt i rastësishëm. Mund të ndryshojë nga koha në kohë, në varësi të personazheve që janë në jetën politike.

Më thua shpesh se je i pakënaqur nga të dyja palët në politikë ; se nuk e do as Rilindjen dhe as Bashën; se janë të gjithë njësoj; se asgjë nuk do të ndryshojë ; se Basha është si Rama.

Le ta marrim të mirëqënë për një çast faktin që Basha është si Rama dhe le t’i braktisim që të dy.

Je ti si qytetar përballë qytetit tënd. Je ti si qytetar përballë shtetit tënd. Je ti si qytetar përballë padrejtësisë.
Çfarë bën ti?!

Ngre supet dhe më thua : Ç’mund të bëj unë ?! Unë s’kam asgjë në dorë. !

Kam disa pyetje për ty :Sa herë je revoltuar në jetë në të përditshmen tënde?! Sa herë ke dalë mbi frikën tënde dhe ke folur në punën tënde?!
Sa herë i ke treguar vendin përgjegjësit që donte të të shtypte pa të drejtë ?! Sa herë e ke sharë në heshtje drejtorin që të dikton edhe buzëqeshjen?!

Ji të paktën një herë i ndershëm me veten dhe përgjigju :- Asnjëherë !

Si mund të kuptosh një revoltë popullore kur nuk ke përjetuar kurrë një revoltë individuale?!

Kthjellohu dhe kupto se Basha nuk është veçse kremastari ku ti var dobësinë tënde.

Post Scriptum- Të paktë janë skllevërit e vërtetë. Pjesa më e madhe janë skllevër vullnetarë.