Stafi i fondacionit “Besa” krijoi skemën piramidale me kreditë fiktive, përfituan 3.7 milion euro

Shtatë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se përfituan 3.7 milionë euro nga kreditë fiktive

Të arrestuarit janë pjesë e stafit të Fondacionit “Besa” dhe arrestimet u bënë pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e një fondacioni për dhënie kredie, se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Operacioni “Kredia” vuri në pranga drejtoreshën e një prej degëve të filialit të Fondacionit, 4 oficerë kredie, dy ndërmjetësues ndërsa është shpallur në kërkim sekseri.

Policia thotë se e gjithë skema e mashtrimit ishte krijuar nga drejtoresha e Fondacionit, e cila në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Si bëhej përfitimi nga kredia-“Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti” informoi sot policia e shtetit.

Janë dhënë 2 mln euro kredi-“Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.  Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro” sqaroi me tej policia.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave  të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.

Në kuadër të operacionit të koduar “Kredia” policia arrestoi:

A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.

B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

O. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.

A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.