Nga Pëllumb Nako,
Ish drejtor policie për Kufirin

Ngado në media u tha se në 20 ditët e para të gushtit në vendin tonë janë janë rregjistruar duke hyrë në Shqipëri 1 milion pasaporta të huaja. Që numri i të huajve të cilët vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet rritet gjithmonë e më shumë, kjo dihet. Që kanale televizive të shumtë seriozë nëpër botë i bëjnë jehonë bukurive tona natyrore, traditave, kuzhinës, mikpritjes nuk ka sesi secili nga ne të mos ndihet mirë. Por nuk ka se përse për këto gjëra të jepen patjetër realitete që nuk korrespondojnë me të vërtetën. Për më tepër kur nuk kemi ende një sistem të saktë të përllogaritjes së turistëve që vijnë në Shqipëri për pushime. Gjë që do të krijonte mundësi të mira për të pasur njohje të prurjeve dhe për të llogaritur të ardhurat.
E gjitha kjo sepse në ditët e para të këtij gushti, në 1 milionëshin e këtyre turistëve, në kufi u rregjistrua edhe një pasaportë britanike. Ajo ishte lëshuar në emër të Ndue Frrok Logut nga trevat Mirditore. Shoku im i mirë. Nduja erdhi në Shqipëri dhe shkoi të shohë prindërti e tij. I ndihmon ata me stërlina nga puna e lodhshme që bën në Angli. Këto para të Ndues nuk janë të ardhura nga turizmi, por janë reminitanca nga emigrantët. Sepse paratë për turizëm, Nduja i harxhoi kur shkoi disa ditë në Itali e disa të tjera në Kroaci. Dhe kur u kthye, u regjistrua edhe dy herë të tjera duke hyrë në Shqipëri. Pra tri herë. Me fjalë të tjera, sipas rregjistrimit kemi të bëjmë me tre britanikë, kurse ai është Nduja nga Mirdita, shoku im i mirë. Sa të tillë si Nduja kishim në gusht?!
Dhënia e tufës së luleve turistes së 1 miliontë nuk duket e bazuar mbi shifra reale turistësh. Madje as si gjetje. Sepse shefi aktual i qeverisë e qesëndis pa pushim paraardhësin e tij për mënyrat e komunikimit me publikun, por faktikisht me këtët rastin e luleve nuk ka sjellë gje të re në skenë. Turistja e njëmiliontë është gjetje e njëjtë me gruan e moshuar 65 vjecare e cila doli për herë të parë nga Shqipëria pa vizë. Vite më parë.
Shefi qeveritar i asaj kohe kërkoi emrin e saj dhe e përshëndeti në të gjitha kanalet dhe mediat televizive me emër dhe mbiemër. Sigurisht lule nuk i ofroi dot. Në fakt gruaja e moshuar kishte dalë nga Shqipëria në orën 3 të mëngjezit pasi nuk i durohej të shkonte në Greqi dhe të shihte dy djemtë të cilët kishte 14 vjetë pa i parë sepse nuk vinin dot në Shqipëri për shkak të mos pasjes së dokumentave legalë. Gjetje pra të njëjta, por të vërteta krejt të ndryshme.
Kur komunikimi publik si në rastin e 1 milontë bazohet mbi ngjarje jo të qëndrueshme është propagandë dhe e prish atmosferën pozitive të turizmit në Shqipëri në mënyrë absurde. Ajo që është realisht nuk ka përse të zmadhohet.
Kur komunikimi publik si në rastin e nënës së moshuar bazohet mbi një fakt të pa lëkundshëm është marrëdhënie me publikun.
Ndues i kërkoj të falur që i përmenda emrin, por nuk mund të rrija pa cituar faktin.