…teori mbi krijimin

Astrit Lulushi

Kohë të çuditshme janë këto në të cilat jetojmë, ku njeriu mësohet në shkollën e gënjeshtrës. Dhe ai që guxon të thotë të vërtetën quhet njëherësh i çmendur dhe i marrë. Këtë e ka shkruar Platoni rreth 2500 vite të shkuara, por është e vërtetë edhe sot. Njeriu, psikologjikisht edhe fizikisht, shumë pak ka ndryshuar nga njeriu i kohës së lashtë, dmth, shumë pak ka evoluar, ose, të paktën, mendërisht nuk ka ndryshuar (në mos ka mbetur prapa).
Kjo tregon se fillimisht njeriu ka ardhur në jetë me të njëjtat karakteristila e tipare siç është sot, por nëse është kështu, ai duhet të jetë lindur edhe me kujtime a lidhje gjenetike. Por çfarë kujtimesh ka patur njeriu i pare kur para tij jeta nuk ka ekzistuar? Me kë lidhej ai gjenetikisht?
Në përpjekje për gjetjen e një përgjigje, njeriu krijoi teori të shumta, që nga prejardhja nga majmuni e deri tek dalja e menjëherëshme në dritë. Dhe këto ide kanë qenë gjithmonë në përplasje.
Darwini në fund të jetës së tij pati thënë se seleksionimi natyror ka qenë mënyra kryesore por jo mënyra e vetme e modifikimit, duke u tërhequr paksa nga teza e tij më e herëshme.
Rreth fillimit të shekullit të 20-të, periudhë që është quajtur “eklipsi i darvinizmit”, kur popullariteti i teorisë së tij pësoi rënie, shkencëtarët propozuan mekanizma të ndryshëm alternativë, duke bashkuar gjenetikën mendeliane me seleksionimin natyror të Darvinit.
Sipas konceptit mendelian, trashëgimia e një tipari varet nga kalimi i tij, ku për çdo tipar të caktuar, një individ trashëgon një gjen nga secili prind, në mënyrë që individi të ketë një çift të dy gjeneve.
Sipas konceptit darvinian, organizmat që përshtaten më mirë me mjedisin e tyre kanë tendencë të mbijetojnë dhe të prodhojnë më shumë pasardhës. Kjo u quajt “teoria e veprimit” dhe tani besohet se është procesi kryesor që sjell evoluimin. Shkencëtarët i dhanë teorisë një bazë matematikore dhe arritën në përfundimin se përzgjedhja natyrore ishte mekanizmi bazë i evolucionit.
Në SHBA, të gjitha grupet kryesore fetare janë kundër teorisë së Darvinit, duke thëne se njerëzit dhe gjallesat e tjera kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të tanishme. Përkundër përpjekjeve në shumë shtete për të ndaluar mësimin e evolucionit në shkollat ​​publike ose për të mësuar alternativa për evolucionin, gjykatat në dekadat e fundit vazhdimisht kanë refuzuar kurrikulat e shkollave publike që largohen nga teoria e evolucionit. Për shembull, më 1987, në çështjen Edwads vs. Aguillard, Gjykata e lartë vendosi që një ligj i Luizianës që u kërkonte studentëve të shkollave publike të mësonin si evolucionin ashtu edhe shkencën e krijimit ishte anti-kushtetues. Dhe debatet mes njerëzve vazhdojnë, por pa ndërhyrjen a diktatin nga qeveria apo shtetit.