Si vdiq poeti Andon Zako Çajupi në Egjipt

Në kajro të Egjiptit, në Heliupolis, ndrroi jetë në moshë 66 vjeç veterani patriot Andon Zako, vjershëtori Çajup, autori i Baba Tomorrit.
Fytyrën e veneruar të vjershëtorit Çajup pata fatin ta shikoj për të parën dhe të fundit herë tani e 6 vjet në Heliupolis, në shtëpinë e tij. Kisha vajtur për disa ditë në Misir dhe në Kajro isha njohur me sivëllanë tim të dashur dhe të vyer Milo Duci, i cili më shpuri te Çajupi. E quajta për detyrë patriotike të mos largohesha nga toka e Piramidave pa shtrënguar plot veneratë e dashuri dorën e djathtë të Çajupit, atë dorë të cilën një jetë të tërë e përdori me mjeshtëri të rrallë pendën për të mbrojtur të drejtat tona kombëtare dhe për t’u frymëzuar shqiptarëve dëshirën e ringjalljes nacionale.
Çajupi ishte në shtëpi – një shtëpi e bukur, elegante, në lagjen elegante dhe aristokrate të Kajros, që quhet Heliupolis – dhe na priste ashtu siç pret një at i mirë bijtë e tij. Se, për plakun e ëmbël e plot ndjenja të Kairos, çdo shqiptar nga brezi i ri, që merresh me shkrimin e shqipes, ishte një bir i dashur dhe i dhëmbshur. Katër orë kemi ndenjur në bisedë që të tre, në një çip të asaj dhome shtruar shqiptarçe me aq lezet e bukuri (sa s’më ka takuar të shikoj tjetër deri më sot), plot katër orë kemi folur duke kujtuar gjithë patriotët e kombit posaçërisht gjithë shkrimtarët e vjetër dhe të rinj, duke lexuar dorëshkrime proze dhe duke recituar vjersha.
Mbaj mend si tani qysh u ndriçua fytyra e plakut kur unë zura të flas me aq entuziazëm për poetin e ri Lasgush Poradecin. Dhe kur plot zjarr recitoja “Këngë pleqërishte”, sytë e Çajupit u mbushën me lotë gazi; me të mbaruar, plaku i pavdekshëm më përqafoi duke më thëntë:
“Jam i lumtur, o bir, kur shikoj si arriti kombi shqiptar të ketë poetë të shkruajnë gjithë këto mrekullira bukurie si Lasgushi dhe poetë të tjerë si ty, që dijnë t’i shijojnë, t’i kuptojnë thellësisht dhe t’i vlerësojnë këto xhevahire! Mos harro, o Guri Malësori (ashtu më thoshte asi kohe në gazetari) a se poetë janë edhe ata që shkruajnë, edhe ata që e kuptojnë poezinë!”
Dhe duke fshirë të dy pikat e lotit që vareshin si margaritarë në sytë e tij të ndritshëm, Çajupi shtoi:
“Jam i lumtur se fara që mbollëm ne pleqtë nuk vajti kot!”
Këto fjalë të Çajupit kanë mbetur thellë të skalitura në trurin tim. Kurrë nuk do t’i harroj as ato, as fytyrën e ëmbël dhe të ndritur të plakut që u nda këto ditë prej kësaj bote. Këshillat patriotike që më dha Çajupi tani e gjashtë vjet në Kajro kanë qenë për mua personalisht burim i pashtershëm rifuqizimi dhe rilindjeje shpirtërore, sa herë që vuajtjet, dëshpërimi dhe pesimizmi ka takuar të bëhen tepër të rënda në shpirtin tim.

Në këtë kohë interesi material, kur çdo ndjenjë, sado e lartë, peshohet, mjerisht, me peshën e interesit, fytyra e Çajupit shquhet si një yll i ndritshëm në mes të errësirës dhe shkëlqen prej së larti për t’i treguar brezit të ri rrugën që duhet të mbajë, rrugën e sakrificave patriotike, rrugën e vetëmohimit.
Çajupi na fton të pasojmë dhe t’ia plotësojmë veprën. Të tregohemi të denjë për trashëgimin që na la.

Gjergj Bubani
Konstancë, gusht 1930

(Botuar në gazetën “Shqipëria e Re”, 19 gusht 1930. Në foto: shtëpia e Çajupit në Kajro dhe varri i tij.)