Shoqërohet në polici kreu i FRPD Shkodër Arvit Bushati| Spahia: Urdhër politik!

Pas ngjarjeve në Shkodër, policia ka shoqëruar në komisariat kryetarin e Forumit Rinor Demokratike. Denoncimi është bërë nga ish-deputeti i PD, Bardh Spahia.

Në një deklaratë për mediat, Spahia tha se shoqërimi është bërë me urdhër politik. Sipas tij vendi është në prag të diktaturës.

Bardh Spahia: Shqipëria po rrëshqet frikshëm drejt diktaturës dhe deri modeleve të shëmtuara të mbajtjes së pushtetit me dhunë dhe nëpërmjet përdorimit politik të policisë si formë reprezalje ndaj përfaqësuesve të opozitës. Ishte një ngjarje e shëmtuar për të cilën do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat përgjegjës, nga ata urdhëruesit politike deri tek zbatuesit e verbër të urdhrave politike të eprorëve të tyre.

Oficeri i policisë nuk kishte asnjë mandat nga prokuroria. Ishte një grabitje e mirëfilltë e kryetarit të Forumit Rinor nga civilë. Në përgjithësi është në frymën e përdorimit politik të policisë së shtetit për të frikësuar qytetarët e Shkodrës.