Laboratorë të rinj pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave, por jashtë Farmakopesë

Dy laboratorëve modernë për kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së barnave që prodhohen dhe qarkullojnë në Shqipëri pritet të jenë funksionalë brenda këtij viti pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Investimi me vlerë rreth 121.4 milionë lekë do të mundësojë rritjen e kontrollit të sigurisë dhe cilësisë së barnave që prodhohen dhe qarkullojnë në Shqipëri.

“Ky është një investim shumë i rëndësishëm që kemi ndërmarrë sa i takon garantimit të sigurisë së barnave dhe materialeve mjekësore, ku përveç rehabilitimit të godinës, po investojmë në ngritjen e dy laboratorëve modernë, që do të jenë të certifikuar për kryerjen e një seri analizash që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e barnave në vend”, tha Manastirliu.

“Dy laboratorët e rinj që do të pajisen me aparatura bashkëkohore për analizimin e barnave që regjistrohen për herë të parë në vendin tonë si dhe të barnave që janë në qarkullim, do të akreditohen, për të përmbushur standardet Evropiane të cilësisë”, tha Manastirliu.

Investimi parashikon ngritjen e laboratorit fiziko–kimik dhe atij mikrobiologjik, duke bërë të mundur garancinë e certifikimit të sigurisë dhe cilësisë së barnave, me analizimin e të gjithë gamës së barnave që tregtohen në vendin tonë dhe me kapacitete analizuese të përmirësuara.

Godina do të përfshijë një sportel të dedikuar me 2 poste ku bizneset do të kryejnë regjistrimin për barnat dhe pajisjet mjekësore. Do të ketë ambiente të posaçme (dhoma frigoriferike) për ruajtjen e mostrave dhe acideve. Si dhe dy laboratorë modernë për testimin e barnave dhe materialeve mjekësore.

Megjithatë Shqipëria vijon të jetë jashtë Farmakopesë, kushtetutës së barnave europiane, çka lejon që në tregun shqiptar të hynë barma nga Serbia dhe Turqia, me princip aktiv të dobët.