Kam pasur edhe unë një përvojë me turistë spanjollë

Nga Indrit Vokshi

Në Shëngjin para disa vitesh. Kishin ardhur në darkë aty te pallatet. Më thonë mua janë dy të huaj me biçikleta dhe duan të flenë jashtë, aty para lokaleve. Kërkojnë leje a mund të flenë aty. Isha me djalin e xhaxhit tim. I them hajde shkojmë, po merr nja dy pije tua çojmë për respekt, si shenjë miqësie. Shkuam aty. Flisnin anglisht. I pyes çfarë kërkojë prej nesh si mundemi me i ndihmu! Thanë a ka mundësi të flemë këtu para lokaleve, kishin dy dyshekë me zinxhir, futeshin aty e flinin. Patjetër që mundeni u them. Marku ishte ai që kishte lokalin me qera aty, mirditor, shumë punëtor, gati 50 vjeç. Marku kishte shku në shpi e i kishte tregu nanës së vet se kështu-kështu, ishin dy t’huj e i lamë me flejt para lokalit, te veranda. Vjen Marku me motorr papaq. Thashë çfarë ka ky. Më thotë mua i tregova nanës e nana m’tha, turp e gjynah me i lanë me flejt jashtë. Tha çohu shko hapua lokalin e të flenë mrena n’lokal. E erdha. Po ta lej çelësin ty. Mirë i them. Iku Marku se e kishte shpinë larg. U hap lokalin u them ja ku e keni, mundeni me marr me pi çfarë të doni te frigoriferat. Ok thanë, shumë falemnderit por nuk duam gjë. Po patët diçka i them, unë këtu rrotull jam. I lashë aty. U ngjita sipër për me flejt. Po nuk më zinte gjumi. Gjashtë herë kam zbrit i kam kontrolluar a janë aty, a janë në rregull se më hante meraku se mos najnji i sheh të huaj e thotë kanë para me vete dhe tenton t’i grabisë. Se ku i dihet vjen lloj-lloj elementi verës në Shëngjin. Kaloi nata, krejt mirë. Në mëngjes u ulëm për kafe me ta, bëmë muhabet. Ishin studentë drejtësie që kishin marrë përsipër udhëtimin me biçikletë nga veriu i Italisë, Slloveni, Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, do shkonin në Greqi ku do merrnin avionin për Spanjë. Nejtëm me ta derisa u larguan. I përcollëm të nerum ne, se sipas traditës së shqiptarit ua bëmë respektin sa kishim mundësi, se apartamente nuk kishim bosh. E kështu t’paktën me i lanë emër të mirë vetes e vendit tonë, se imazhin e Shqipërisë sigurisht e kanë në dorë institucionet por e ka në dorë edhe secili prej nesh në përmasën e vet.