Kundër një Kompromisi të Madh

Nga Marlin Muca

Të gjitha luftërat në historinë e njerëzimit janë mbyllur me një marrëveshje, pakt apo traktat që ndalon luftimet dhe i hap rrugë një epoke të re marrëdhëniesh mes shteteve ndërluftuese. E teksa në luftë marrëveshja në gjysëm të rrugës i cel udhën paqes, politika është e atillë që kërkon dërrmimin e plotë të kundërshtarit, shterrimin e plotë të forcave dhe një konsum të të gjitha manovrave politike, gjersa kushtet të jenë të atilla që fituesi të negociojë një pakt dorëzimi, sipas frymës së tij me humbësin.
Një marrëveshje politike, në kohën kur zgjidhja e konfliktit është larg dhe të dyja palët shfaqin potencialin e duhur për ta cuar betejen në fund e për ta shkatërruar në rrënjë njëra tjetrën, prodhon paqe false dhe frustrim në rradhët e atyre që duan luftën të vazhdojë, topat të bucasin dhe kurmet të kalben gjersa toka të mbajë erë të vdekurish. Historia njerëzore na mëson shembuj të pafundëm se si përpjekjet e panatyrshme për të vendosur paqe në kohë lufte, kanë rezultuar në zgjidhje të panatyrshme që vetëm kanë zgjatur agoninë e problemit.
Rasti më i afërm është ai i Aldo Moros, demokristianit italian, pjesën e fundit të jetës të cilën ai ja kushtoi sendërtimit të një Kompromosi të Madh në politikën italiane. Në mesin e “epokës së plumbit“ periudhës kur brigadat e kuqe bombardonin pa teklif qëndra qytetetesh dhe pa një pa dy nuk hezitonin të masakronin madje dhe karabinierë, z.Moro u përpoq t`i blatonte Italisë së trazuar nga konflikti ideo-politik një koalicion historik mes Partisë Demokristiane dhe Partisë Komuniste, e cila kishte disa lidhje te nëndheshme me ish partizanët tanimë të kthyer në guerrilas urban. Qasja e Moros ishte jashtë kohës dhe tejet e rrezikshme për balancat gjeopolitike të luftes se ftohte. Qeveritë perëndimore të këtej Perdes së Hekurt nuk kishin patur kurrë më pare brenda vetes një forcë politike që guxonte të mbante emrin “komuniste“ e për më tepër mbështetej haptazi nga Moska. Nga ana tjetër, të rinjtë energjikë e kokëshkretë të Brigadave të Kuqe nuk mund të lejonin kurrsesi që socializmi të vinte në Itali përmes një mjeti konvensional e demokratiko-borgjez sic ishte aleanca politike. Këto rrethana cuan në rrëmbimin e më pas ekzekutimin pas 55 ditësh të Aldo Moros, politikanit që donte të vendoste paqen në Itali nëpërmjet këtij Kompromisi të Madh. Aldoja tentoi t`i mbivendoste panoramës politike të kohës vizionin e tij për një Itali më të qetë e më të paqtë. Në këmbim, Mario Moretti, ekzekutori i tij doli në lirim me kusht në 1998, ndërsa ai fitoi përkujtësën e përjetshem tragjike të njeriut që punoi, jetoi e në fund vdiq kundër kohës.
Disa dhjetëra vite më pas e disa qindra milje larg nga ploja e Romës së përndjekur nga mortaja e kuqe, ndodhet Shqipëria, një vend i përfshirë nga një krizë politike e shoqëruar së fundmi dhe me nota dhune. Për 27 vite me rradhë politika shqiptare është munduar ta evitojë Përplasjen e Madhe nëpërmjet marrëveshjeve të jashtëzakonshme të diktuara nga arbitri ndërkombëtar. Natyrisht, ka patur dhe momente shpërthimi real të pakënaqësisë popullore, por edhe këto të kanalizuara e konturuara nga politika e kohës. Prova kryesore për këto revolucione kallp është fakti se askush nga palët nuk është djegur përfundimisht nga skena politike, përkundrazi, kanë arritur që pas disa vitesh kurash dhe një reformimi rrënjësor të imazhit të tyre në publik, të rikthehen në pushtet me një shumicë të madhe votash. Ky ngërc i madh social, në mungesën e shpërthimeve të pakontrolluara është përkthyer në një hemorragji të ikurish jashtë vendit që nuk e gjejnë më veten në vendin e revolucioneve të pakonkluduara.
Sot jemi në momentin kur kërkohet patjetër që njëra nga palët politike në vend ta mbyllë këte cikël të gjatë tranzicioni. Si cdo ditë e kremte për popujt muhamedan, dita e parë e një epoke të re për shoqërinë njerëzore meriton kurbanin. Kurbani duhet të jetë një nga dy liderët që kanë marrë përsipër ta cojnë deri në fund revanin cmendurak drejt fitores: Njëri drejt pushtetit absolut, tjetri drejt pushtetit të parë e joshës pas 6 viteve të vështira në opozitë.
Duhet të marrë fund loja 30 vjecare prej nga asnjë personalitet politik nuk ka dalë tërësisht I humbur nga jeta politike. Nuk mund të ketë më një win-win situation, por vetëm një fitore që do t`i përkasë atij politikani që do të jetë i aftë ta vërë peng gjer në fund të ardhmen e vet politike e madje dhe personale, në pokerin që po luhet kete 10 vjecar.
Shoqëria nuk mund të pranojë më tronditje të forta sociale që mbyllen me marrëveshje prej nga politika del e gjitha e fituar. Njerëzit duan të shfryjnë mllefin e akumuluar të këtyre viteve dhe askush nuk mund t`ia mohoje më ketë të drejtë biologjike. Pesha e zgjidhjes së kesaj nyje I mbetet Opozitës. Në këtë rast, asaj i duhet të ndjekë të vetmen rrjedhë që historia ia kushton diktaturave në fundin e tyre.

more recommended stories

loading...