Merci Zhozefin

Letra u shkrua nga ER më 20 qershor por është tepër aktuale.
===

Merci Zhozefin,

Nga Lindita Komani

Merci… që ti e dëgjove fjalën tonë kaq fort mirë. Për zhelesh do t’i kapim e plumbin ballit do ia fusim të tërëve, nga i pari tek i fundit. Do të ta marrim edhe hakun e Ilirit mbi tavolina që nuk ta mori PD-ja kurrë. Edhe hakun e Lulit që nuk të la të bëhesh ministre e jashtme e të mbylli rrugën politike që ke vetëm 23 vjet që e ke nisur.

Merci… se nuk është e lehtë të përballesh me kundërvënien dhe zulmin e njerëzve që të kanë adhuruar me gjithë zemër. Por vetëm kur arrin ta bësh këtë, je bërë vërtet i pamposhtur.

E pamposhtur edhe ti Zhozefin, sikurse më herët edhe Majlinda. Ti brune, ajo bjonde e prapëseprapë vend ka për të dyja. Në zemrën time kam pranuar cilëndo e cilindo që ka dashur të pranojë sharmin tim dhe unë sharmin e shfaq në më të mirën e tij vetëm për ato e ata që më premtojnë pushtet. Dhe ti ke qenë gjithmonë e aftë për të më premtuar pushtet por si thonë këta që na njohin mirë, ke qenë ca si zevzeke dhe dhi. Por unë nuk i kam përkrahur kurrë këta zëra dhe ti je e ndërgjegjshme për këtë. Edhe atëherë kur u mërzite shumë që bëra pakt me Lulin në 17 majin e gjatë të vitit 2017. Të lamë pa pushtet, por kështu e ka politika. Ti e di, unë e di, ata e ato e dinë.

Por tani çdo gjë është pjekur, çdo yll fati është puqur, me armikun e armikut nuk mund të bëhesh gjë tjetër veçse mik.

Kështu të premtoj që do të jem me ty, do të jem miku yt për aq kohë sa të më pranosh si kryeministrin tënd, për aq kohë sa ti nuk do të shohësh as gjykatat që janë shuar, as kushtetutën që është shkelur, as artikujt gjermanë me përgjime, as protestat nëpër rrugë të të pagdhendurve.

E kështu të dua sot e për sa vjen… mikesha ime, garantja ime, dalzotsja ime, shkodranja ime, presidentja ime. Për mua ti ke qenë përherë një femër e adhurueshme, e pakrahasueshme me ndonjë tjetër në politikë.

Ah Zhozefin… merci!

20 qershor 2019