Gjithçka Ndryshon Asgjë Nuk Ndryshon


Nga Admir Malaj

18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë për shkelje të artikullit 73, të Dekretit të Presidentit të Republikës Italiane, datë 9 Tetor 1990, nr 309, “Teksti Unik për Stupefaçentët”, jepen si dënim vetëm kur, sipas pikës 5, “për mjetet, metodat ose rrethanat e veprimit ose për cilësinë dhe sasinë e substancave, shkelja është vogël”.
Çfarë do të thotë “shkelje e vogël”?
Një rast është, kur, për shembull je konsumues mariuane dhe të gjendet një dozë plus.
Pra mjafton të të gjejnë dy doza ose tre mariuanë apo çokollatë dhe rrezikon një dënim të tillë, që normalisht, nëse je italian kthehet në shërbim në komunitet, sepse për dënime deri në tre vjet, nëse nuk ke rrezikshmëri shoqërore, ti në burg nuk shkon, sepse thjesht nuk je një kriminel i rrezikshëm.
Gjithsesi nëse je shqiptar ty të hiqet leja e qendrimit dhe të jepet “espulso”, si rregull.
Kjo ndodh rëndom me shqiptarët dhe ndodh më pak me afrikano-veriorët, e më pak akoma me serbët, të cilëve shumë gjëra u falen për arsye humanitare ose rrethanore, sepse siç e dinë shumë shqiptarë, magjistratët italianë, më së shumti komunistë dhe me një simpati të veçantë për emra si Igor, Muhamed dhe Sergei, kanë një tendencë për të konsideruar të qenurit shqiptar si rrethanë rënduese.
Pra sot ne të gjithë po merremi me bëmat e një studenti 20 vjeçar që policia e zellshme italiane ka kapur bashkë me një shok duke dredhur një treshe dhe ndofta me një treshe tjetër në vesh dhe që disa magjistratë mavi kanë nxituar për t’i dënuar dhe ndërprerë të drejtën e studimit në Itali, edhe pse ndofta ishte hera e parë që ata gabonin.
Personalisht, për mua, raste të tilla tregojnë thjesht mungesën e empatisë ndaj shqiptarëve në Itali. E përsëris, nëse këto të rinj do kishin qenë afrikano-veriorë ose serbë, një vendim dhe një masë e tillë me shumë gjasa nuk do ishin marrë.
Mos flasim pastaj, se në vende si Hollanda këto nuk janë as kundravajtje administrative dhe jo më penale, por kjo është një histori tjetër.
Me gjithë këto që kam shkruajtur më lart, unë nuk po them “Ku qendron problemi këtu?”.
Nuk e them dot, sepse në fakt, në gjithë këtë diskutim unë shoh dy probleme:
I pari ka të bëjë me mungesën e kurajos së një 36 vjeçari që kërkon të jetë një udhëheqës komuniteti për të thënë: “Po! Kam bërë një gabim para 16 vitesh dhe e kam paguar sa frëngu pulën!”.
I dyti dhe ndofta edhe më i rëndësishëm, këtu në vendin tonë mund të vrasësh, presësh, trafikosh, shesësh njerëz, tokë dhe det dhe askush nuk të thotë gjysëm fjale, por nëse të kapin me një treshe plus në vesh, mos, je i mbaruar!

more recommended stories

loading...