Edi Rama ka shitur të gjithë miqtë e shokët e tij për të mbajtur pushtetin

Nuk është hera e parë që Edi Rama, pasi emëron njerëz me precedentë të rëndë penalë apo ndodhin ngjarje të dhimbshme të heqë nga vetja përgjegjësinë dhe ta kalojë diku tjetër.

Një shitje e shpejtë, për të shpëtuar veten. Braktisje për të qenë përsëri në lojën e politikës. Hedhjen e qyrkut të fajit tek vetëm një pjesë e fajtorit dhe zbardhjen e certifikatës së pastërtisë tek vetja. Mohimin e atij që kishte pranë për të rritur besueshmërinë ndaj vetes.

Elvis Roshi ishte një shembull, të cilin menduam se nuk do të përsëritej. Pasi e mbrojti disa ditë, e la të gjithë fajin në portën e kavajasit për të shkuar tek një tjetër rast. Më pranë, Durrësit. Vagjush Dako ishte, po ashtu, i përkëdheluri i tij. I mbrojtur me afsh dhe duke bërë krahasime shifrash se sa kishte fituar ai në kohën e Berishës, sa në kohën e Metës, sa në kohën e Ramës.

I afruar deri në momentin e fundit, kur Departamenti i Shtetit bën të qartë lëvizjen e tij dhe Rama, tepër shpejt, ndahet nga shoku i tij i vjetër, i politikës dhe i biznesit.

Deputeti Prenga, përsëri një rast bashkimi e ndarje. E njëjta rrugë, trafik narkotikësh, dënime në shtetin fqinj, pastaj përvetësime pronash, pasuri e dyshimtë, shtëpi, vila, toka dhe, në fund, ndarja prej tyre duke zhveshur qyrkun e fajit.