18 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, sukseset dhe dështimet

Sot mbushen 18 vite që nga dita kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë. Ajo është e ndërtuar mbi pesë parimet themelore, të cilat u shoqëruan me ndryshimet kushtetuese, qe konfirmuan shoqërinë shumetnike maqedonase dhe ku u sanksionua se shqiptarët janë etni shtetformuese. Marrëveshja kornizë synonte zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë maqedonase duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Kjo garantohej përmes përmbajtjes së saj, ku decentralizimi ishte ndër pikat kryesore, pasi siguronte qeverisjen e tyre nga bashkësia më e madhe e popullatës që e përbën.

‘Marrëveshja e Ohrit detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe mos diskriminimin.’ E reflektuar në ligj kjo pikë e marrëveshjes kërkonte që në punësimet në administratën publike të sigurohej përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe. Përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese kërkohet të bëhet mbi proporcionin e përfaqësimit në Kuvend sipas etnive. Shqiptarët që përbëjnë mbi 30 % të popullsisë maqedonase përmes Marrëveshjes së Ohrit iu garantohej e drejta e përdorimit te shqipes si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase. Simbolet kombëtare gjithashtu. Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13 gusht 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, nënshkruar në Shkup nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe presidenti, Boris Trajkovski. Që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e Veriut ka avancuar në masë të theksuar kërkesat e shqiptarëve, por njëkohësisht janë evidentuar edhe ngecje në zbatimin në praktike të normave ligjore që burojnë nga ky dokument.