Turqia për balancë kundër fqinjëve?

Nga Indrit Vokshi

Kur Ahmet Zogu u kthye në pushtet në 1925 deklaroi se “Shqipnia nuk mund të bahet çerdhe e armiqve të fqinjëve të saj”. Zogu kuptonte mirë se duhet të respektonte rendin e ri të kufinjve dhe balancave të vijëzuar nga Konferenca e Versajës, si garanci kjo për vetë Shqipërinë sepse i vetmi garant për Shqipërinë dukej të ishte rendi i ri që e kishte krijuar shtetin shqiptar.

Sot kemi dalë me tezën se Turqia balancon ndikimin e fqinjëve tanë, prandaj duhet lejuar e përkrahur.

Turqia e para 22 viteve me Demirel e Çiller, ka qenë pa dyshim kundër tentativave të Greqisë për “Autonominë e Jugut” e cila synohej të arrihej me Komitetet e Shpëtimit nxitur nga njerëzit e lobit greko-amerikan. Mirëpo edhe Italia dhe shtete të BE kanë qenë kundër gjithashtu. Presidenti Berisha kërkoi ndihmë nga Komuniteti Europian dhe mund të themi se edhe kjo ndihmë e shpëtoi Shqipërinë nga ndarja e cila synohej me 1997-ën. Se ata të cilët thonë se 1997 u bë për Kosovën e marrina të tilla, janë viktima të atyre që duan të fshehin se 1997 u bë për të coptuar Shqipërinë. Asokohe qarkullohej teoria se nëse Kosova do pavarësi edhe Jugu i Shqipërisë “minoritar” duhet të shpallë autonomi. Madje Ben Blushi ka shkruar artikull “Kosova e Jugut”. Komuniteti Europian ndihmoi Shqipërinë.

Vijmë tek rasti i Kosovës dhe pazaret për ndarjen e saj. Është përsëri Bashkimi Europian me Gjermaninë në krye i cili kundërshton projektin e ndarjes – është pra rendi europian. Sot Turqia hesht dhe nuk shfaqet energjike kundër kësaj ideje. Kjo sepse Turqia nuk është më Turqia e para 22 viteve. Nuk janë më as Demirel, as Çiller, as Exhevit e askush tjetër. Turqia ka shpallur neo-imperializmin e saj rajonal dhe kalkulimet janë të tjera. Do shihet në vazhdim por Turqia mund të shkojë gjithnji edhe më e barazpeshuar dhe e barazlarguar, duke mos dashur të krisë aleancën me Serbinë me të cilën ka dhe një shkëmbim tregtar vjetor prej rreth 700 milion dollarë. Turqia pra nuk është “Baba i Madh” i shqiptarëve ekskluzivisht por ka interesat e saj dhe kjo është krejt normale.

Shqipëria ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane dhe u ndodh në anën e gabuar gjeopolitikisht, sepse ishte koha e Rendit të Ri dhe tre perandoritë, osmane, austriake e gjermane po dilnin nga salla e vendimmarrjes, ndërkohë që të tjerët po hynin si fitues. Shqipëria u penalizua bashkë me ta, me humbësit. Sot është në fuqi rendi i po atyre fituesve.

Kësisoji Turqia nuk ka takat ta fusë Shqipërinë apo Kosovën në sallat e vendimmarrjes dhe të ndikojë për vendime në interesin tonë. Sepse Turqia nuk është fuqi europiane, as globale. Është fuqi rajonale dhe në rajonin e Ballkanit Turqia nuk mban anën e shqiptarëve kundër të tjerëve, përkundrazi, përpiqet të bëjë biznes me të gjithë dhe t’i kthejë në klientë të saj. Kështu që ata të cilët pretendojnë se Turqia është me ne kundër të gjithëve, gabohen.

Në kuptimin e balancimit nëse Greqia po paguan pensione minoritari dhe po ndikon që sa më shumë shqiptarë të deklarohen grekë dhe filogrekë, Turqia spo ndikon që këta shqiptarë të mbeten shqiptarë. Turqia po ndikon që sa më shumë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të deklarohen turq e kthehen në filo-turq. Greqi e Turqi po bëjnë të njejtën gjë, njëra në interes të greqizimit e tjetra të turqizimit. Vetëm shqiptarizmi del me humbje në ketë mes. Të dyja këto shtete po shfrytëzojnë njëlloj dobësimin e identitetit të shqiptarit politik e kulturor, po shfrytëzojnë degjenerimin e arsimit shqiptar, mafiozizimin e jetës politike me qëllim për ta bluar dhe përpirë kulturalisht e politikisht hapsirën shqiptare në Ballkan.

Për ketë nuk mund tu vëmë faj sepse politika mizore është, as Turqia nuk do forcojë identitetin shqiptar kundër Greqisë e as Greqia nuk do investojë për identitetin shqiptar kundër Turqisë. Për identitetin shqiptar na mbetet të investojmë vetë ne shqiptarët. Askush tjetër.

Nga ana tjetër, ndërhyrja në Shqipëri është brutale dhe e patakt. Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë është i vetmi kryetar shteti apo kryeministër i cili para zgjedhjeve të 2017 në Shqipëri në një intervistë me gazetarin Sokol Balla u ka bërë thirrje shqiptarëve “Votoni Edi Ramën”. Si rregull, siç ne pretendojmë se Turqia është vend mik e aleat e secili që të jetë president duhet ta respektojmë, edhe presidenti turk, më së paku duhet të deklaronte se Shqipëria është shtet mik dhe secili që i fiton zgjedhjet Turqia do ta respektojë e do të bashkëpunojmë. Mirëpo ai nuk veproi kështu.

Prandaj ska vend as për romantizëm, as për rrena, as për manipulime “Ky na do, ai sna do”. Ka vend vetëm për kalkulime dhe interesa. Interesi i shqiptarëve sot është që t’i integrojnë territoret, institucione, kapitalet dhe tregun e punës brenda hapsirës së BE. Aty mund të gjejmë disa garanci.

Nuk duhet të ushqejmë as urrejtje për Turqinë, as për Greqinë e askënd tjetër. Ata kanë interesat e tyre, ne duhet të kemi tonat. Duhet thjesht të shohim interesat tona.

Mafia e Tiranës as ka interes për forcimin e identitetit shqiptar, as ka interes për integrimin financiar, territorial e institucional brenda hapsirës së BE, si garanci kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka interes vetëm për vete dhe për paratë e veta, ndaj është gati të shitet kudo ku mendon se gjen mbrojtje për veten.