Prapaskenat e sherrit të Ilda Bejlerit me Shakohoxhën, ja pse e larguan nga puna pas 11 vjetësh moderatoren

Pas 11 vitesh karrierë si gazetare dhe moderatore e emisioneve sportive në “Digitalb”, pak ditë më parë, plasi lajmi se Ilda Bejleri u largua nga puna. E privilegjuara e kësaj platforme, jo vetëm si intervistuesja e futbollistëve me famë, por edhe si imazhi i fushatave publicitare të guximshme dhe drejtuese e formateve televizive ,largohet papritur.

E si rrallëherë, lajmi nuk mbeti vetëm si thashethem, por u konfirmua nga vetë Dritan Shakohoxha. I ftuar në programin “Pushime on Top”, për herë të parë Shakohoxha foli për largimin e Ilda Bejlerit nga “Digitalb”. Ai theksoi se vendimi për të ndërprerë marrëdhënien profesionale me Ildën nuk u prit mirë nga kjo e fundit. Pyetjes së moderatores Ori Nebijaj: A iku Ilda së fundmi dhe siç u tha, a pati një zënkë mes jush?, ai iu përgjigj:

“Mbase nuk e përjetoi mirë lajmin që i dhashë, por unë jam trajner, përveçse brigadier dhe në periudhën e verës rikompozojmë skuadrën. Në gjithë këto vite kanë hyrë dhe kanë dalë nga kjo skuadër shumë personazhe dhe kanë vazhduar karrierën e tyre diku tjetër. Unë vetë e kam marrë në fillim në televizion bashkë me çunat e stafit dhe po ne vendosëm që mund të shihte opsion në një kanal tjetër. E përjetoi me shumë emocion largimin nga ‘Digitalb’, por ne kemi qenë ata që i kemi dhënë mundësinë dhe ajo e ka shfrytëzuar shumë mirë dhe ka punuar si profesioniste, por jemi po prapë ne që do ta ndërrojmë.

Duke qenë se “Digitalb” festoi 15-vjetorin, pyetjes se festa e “Digitalb” ishte njëkohësisht festa e drejtorit, pra, atij, ai iu përgjigj: “Unë nuk jam drejtor, jam brigadier. S’jam ai që jap komanda. Jam ai që punoj si gjithë të tjerët, bëj të njëjtat punë që i bëjnë të gjithë: bëj intervista, komentoj ndeshje, si komentator kryesor dhe si komentator i dytë te stolat gjatë ndeshjes, ndaj punët”. Por nuk vonoi shumë reagimi i Ildës, e cila, me anë të një statusi në “Instagram”, thumboi gjithë ironi Shakohoxhën.

“Nga puna të heqin e të marrin pronarët e jo komentatorët e ndeshjeve”. Kuptohet nga kjo replikë, dhe thashethemet se mes Ildës dhe Shakohoxhës kishte ndodhur një sherr. Mësohet se, shkak për këtë përplasje mes tyre është bërë një ridimensionim i hapësirave televizive mes prezantuesve. Sipas mediave rozë ai ka dashur t’u japë përparësi moderatoreve të reja, siç është Lei Kraja, gjë që Ildës nuk i ka pëlqyer aspak, pasi do të mund të interpretohej si rënie nga froni. Kjo ka tingëlluar e papranueshme për Ilda Bejlerin, një komunikim që ka degjeneruar në konflikt e deri në marrjen e vendimit për largimin e saj nga puna. Por, ndërkaq, Ilda nuk ka vonuar të bëhet pjesë e merkatos televizive për sezonin e ri, duke nisur bisedimet për një punë të re brenda kompanisë.